Marrëdhëniet me Serbinë, Topi: Kur Shqipëria flet më shumë se Kosova dalim te teza e Boris Tadiç

Mungesa e Kosovës në Samitin e Ohrit në kuadër të shengenit ballkanik përplasi në deklarata të ashpra liderët e  Tiranës dhe Prishtinës.

Si njohës i mirë i historisë së Kosovës, ish-presidenti Bamir Topi flet me nota kritike ndaj qeverisë shqiptare, e cila sipas tij megjithë 1000 problemet që ka brenda vendit, fut hundët në çështjet e Kosovës.

I ftuar në RTV Ora, Topi thotë se Tirana zyrtare lipset që të ofrojë vetëm inkurajim në deklaratat politike, çështjet e tjera i dinë vetëm politikanët e Kosovës.

“E njoh shumë mirë historinë e Kosovës, kam qenë me fat që kam qenë kryetar shteti në gjithë periudhën që i parapriu shpalljes së pavarësisë. Ajo që e quaj të pakuptimtë, kur ti ke njëmijë probleme këtu, mos fut hundët në çështjet e Kosovës, cilidoqoftë. Minimalisht në ligjeratat politike duhet të ketë vetëm inkurajim, çështjet e tjera i dinë vetëm politikanët e Kosovës. 

Në momentin kur Shqipëria flet më shumë se Kosova në marrëdhëniet me Serbinë dalim te teza e vjetër e Boris Tadiç, i cili kërkonte që të gjitha bisedat edhe për çështjen e Kosovës ti realizonte me autoritetet e Shqipërisë. Ne në mënyrë deklamative i kemi thënë se kjo nuk mund të ndodhë se pas 2008 Kosova është shtet i pavarur dhe të gjitha problemet duhet të diskutohen midis tyre”, tha Topi.

SHKARKO APP