“Marrëveshja ishte vetëvrasje”, Patozi: Demokratët nuk janë përfaqësuar për 6 vjet
Kryetari i Bindjes Demokratike Astrit Patozi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se në tryezën për reformën zgjedhore, të humburit e mëdhenj janë demokratët.
Patozi theksoi se dy parti të mëdha në vend, në opozitë për momentin PD e LSI kanë bërë që shumë opozitarë aktualë të humbin shansin që të përfaqësohen në organe ligj-zbatuese qeveritare e lokale.
“Demokratët nëse pranojnë një kosto kaq të madhe, që në tryezë të ulen Damian Gjiknuri, Bylykbashi. Ka një bilanc të frikshëm. Të dyja forcat kryesore politike në vend PD dhe LSI kanë bërë vetëvrasje. Dy forcat politike kanë humbur përfaqësimin për 6 vjet. Është bërë një luftë, ku vetëm njëra palë ka të vrarë, kurse tjetra as të plagosur. Luan Rama është njeri që është viktimizuar për një kauzë. Unë nuk besoj se nuk ia ka vlejtur ky viktimizim. Ka pozitivitet se kishte dialog më në fund. Shqipëria normale mori lajm pozitiv. Të tre aktorët aty bënë shou. Nuk ëhstë mënyrë e mirë lënia e mandateve, nuk është normale. Demokrati ka humbur përfaqësimin dhe kjo është gjë shumë e rëndë”, tha Patozi.
Më tej, Patozi nënvizoi se djegia e mandateve nga opozita jashtë-parlamentare i duket një gjest ekstrem.
“Nëse ju do të kishit një debat nëse fitoi apo humbi PD, unë nuk do vija fare këtu dhe e dyta do paragjykohesha. Unë dua të them se gjithçka që ndodh në PS e PD afekton gjithë shoqërinë shqiptare. Ia vlen të diskutojmë për këtë temë jashtë tifozllëkut të sëmurë. Do të doja të mos digjeshin mandatet, por fundja ata janë sovranë në vendimet e tyre dhe iu dalin zot”, deklaroi Patozi.