Marrëveshja Kosovë-Serbi, Çollaku: Trump grisi sot planin Rama-Vuçiç për copëtimin e Kosovës
Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Çollaku deklaron se Presidenti Donald Trump përmes nënshkrimit të marrëveshjes sot në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë grisi planin Rama-Vuçiç për copëtimin e Kosovës.
“Të pikëlluarit e mëdhenj të Ballkanit janë sot Rama dhe Vuçiç, që planifikuan copëtimin e Kosovës, që lobuan e paguan kripur për të bindur deri Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Bolton, se ndarja e Kosovës do të ishte e vetmja zgjidhje ballkanike për konfliktin Serbi-Kosovë.
Sot dy të pikëlluarit që buzëqeshin nga halli, janë humbësit e mëdhenj të Ballkanit.
Firma e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë grisi planet e Ramës dhe Vuçiçit për të ndarë Kosovën. Sot presidenti i SHBA-së tregoi se Kosova, Serbia e Ballkani kanë rrugë e mundësi të tjera për të jetuar në paqe e të zhvilluar, se ndarja e copëtimi i Kosovës nuk është opsion.
Rama dhe tabori i tij i propagandës janë në panik, pasi për dy vjet mashtruan e helmuan publikun me tezen se Ndarjen e Kosovës e paska dashur SHBA dhe Shtëpia e Bardhë.
Sot firma e Trump në Shtëpi të Bardhë tregoi qartë se teoritë e ndarjes dhe implikimit të SHBA në të ishin mashtrime të paguara e lobuara nga lobet proserbe në Washington dhe sejmenët e tyre në Tiranë”, shprehet Çollaku.