Marrëveshja, krijohet Kuvendi Rinor Mbarëkombëtar 

Rinia si pjesë aktive e shoqërisë ka treguar se di të jetë dhe produktive edhe për sa i përket politikës. Pozicionimi i tyre në politikbërjen do të thellohet edhe më shumë. Iniciativa e re këtë herë ka të bëjë me krijim e një Kuvendi rinor Mbarëkombëtar Shqiptar. Sipas një marrëveshje të nënshkruar në Prishtinë ditën e djeshme, kryetari i Klubit të Patrioteve të rinj, Albano Idrizi në bashkëpunim me të rinjtë e kuvendit të Kosovës, kanë arritur të nënshkruajnë këtë marrëveshje bashkëpunimi.

Pjesë e këtij kuvendi do të jenë nga organizata rinore dhe forume politike nga të gjitha trevat shqipfolëse. Qëllimi i vetëm i krijimit të këtij kuvendi është bashkimi kombëtar, dhe kjo vjen si një thirrje e PDIU-së por dhe e të gjithë trevave shqipfolëse.

 “Në Prishtinë u hodhën themelet e para të krijimit të Kuvendit Rinor Mbarëkombëtar Shqiptar, i cili do të ketë përfaqësi nga organizata rinore dhe forume politike nga të gjitha trevat shqipfolëse. Klubi i Patrioteve të rinj, përfaqësuar nga Kryetari Albano Idrizi, nënkryetarja dhe kordinatorja e aktiviteteve Anjeza Çallpani, sekretari për çështjet ekonomike në PDIU Ermal Telha, aktivisti rinor Marjon Gorica, dhe Kuvendi i të rinjve të Kosovës, përfaqësuar nga Kryetarja Deniza Limani, si dhe anëtarë të këtij Kuvendi, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zhvillimin e kësaj iniciativë të përbashkët”, thuhet në deklaratën për shtyp. Kjo dakortësi u vendos në prani të zv. Kryetarit të Parlamentit të Kosoves Z. Elmi Recica dhe të Drejtorit të Rinisë në MKRS, Z. Xhavit Bajrami, të cilët treguan gatishmëri totale për të mbështetur çdo iniciativë rinore në të mirë të Kombit tonë.

 “Emëruesi i përbashkët i çdo shqiptari anekënd trevave shqipfolëse është bashkimi kombëtar.  Të rinjtë e PDIU-së dhe jo vetëm, do të jenë katalizator i rëndësishëm në këtë proces nëpërmjet aktiviteteve të shumta që do të organizohen në vijim”, ka theksuar në fjalën e tij Kryetari Idrizi.

SHKARKO APP