Marrëveshja me Italinë për refugjatët, Rama: Shqipëria e dobishme për miqtë. Europa jo gati të veprojë si një e vetme
Kryeministri Edi Rama nga Praga ka komentuar marrëveshjen me Italinë për refugjatët do të strehohen në Gjadër dhe Shëngjin. Rama tha se shqipërisë i takon që të jetë e dobishme për miqtë, ndërsa një koment e pati edhe për debatet e krijuara të BE-së mbi këtë marrëveshje. Kryeministri shtoi se debatet tregojnë se Europa nuk është gati të veprojë si një e vetme.
“Mua më takon të jem i dobishëm për miqtë dhe për Shqipërinë që ajo të jetë e dobishme për miqtë. Nëse miqtë kërkojnë diçka, duhet të jesh pranë tyre, jo doemos duhet të biesh dakord 100%. Ne kemi shkuar në luftëra së bashku, ne erdhëm me ju dhe nuk e vumë në dyshim. Thënë kjo, marrëveshja në fjalë është për një temë që është kaq e madhe, kaq e rëndësishme, kaq përcaktuese për Europën dhe mënyrën se si ajo duhet të shohë veten dhe të ardhmen e saj.
Po flas për emigracionin dhe ta transformosh atë në një zënkë mes të majtës dhe djathtës, në një konflikt brenda Europës tregon se ndërkohë që ky është një problem i të gjithë Europës, Europa nuk është gati të veprojë si një e vetme dhe në vend që të trajtojmë problemin është më e lehtë ta ndërtojmë jetën e përditshme bazuar në politika partiake që nuk na çojën askund’‘, tha Rama.