Marrëveshja në kosh? Rama, Bashës: Është aty, do bëjmë çmos që ta votojmë me konsensus
Kryeminstri Edi Rama i është përgjigjur kryetarit të opozitës Lulzim Basha, ku ky i fundit tha gjatë takimit me presidentin Meta se marrëveshja e 5 qershorit po hidhet në kosh.
Në një konferencë për gazetarët, Rama tha se nëse Basha e mendon diçka të tillë, atëherë ka një mënyrë për ta provuar këtë, duke e hequr këtë marrëveshje, duke bërë depolitizimin e adminstratës zgjedhore e disa ndryshime të tjera që i donte Partia Socialiste.
Por, për Ramën e kundërta është e vërtetë, marrëveshja është aty, dhe se ai do të bëjë çmos që të votohet me konsensus.
Edi Rama: ”Çdo pikë e kërkuar nga Partia Demokratike do të respektohet dhe sot është miratuar nga ana jonë, shpresoj të gjejmë konsenus edhe me palën tjetër. Partia Demokratike nuk ka ekskluzivitet mbi parlamentin, të cilin e ka braktisur, që të thotë asgjë tjetër përveç asaj që më pëlqen mua. Kjo është absurditet ta kërkosh. Nuk e di çfarë ka thënë, nuk kam ndjekur gjë por e përsëris, nëse Lulzim Basha mendon se marrëveshja është hedhur në kosh, dhe nëse ai vërtet nuk e do më marrëveshjen, ka një mënyrë shumë të thjeshtë për të provuar që marrëveshja ekziston. Ta heqim.”
”Të depolitizojmë administratën zgjedhore, të bëjmë edhe disa ndryshime të tjera që ne i donim, ata nuk i donim. Mendoj se do t’i bënte mirë vendit, do t’i bënte mirë zgjedhjeve. Natyrisht që e them këtë për të kuptuar që e kundërta është e vërtetë, marrëveshja është aty dhe ne do të mbështrsim deri në fund dhe do të bëjmë çmos që ajo të votohet me konsensus edhe nga opozita parlamentare, e cila për fat të keq ka huqet e shtëpisë ku janë rritur, se ata janë rritur në shtëpinë e PD-së. Jemi 3 palë. Po kjo Partia Socialiste a ka ndonjë të drejtë këtu? Apo kjo ps është këtu vetëm për t’i dhënë pëlqimin absoult vetëm një pale? Ku është parë kjo? Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të lëshojmë më shumë se të tjerët.”