Marrëveshja një sinjal jeshil, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së mbërrin në Tiranë

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, këtë të mërkurë do të vizitojë Maqedoninë e Veriut ndërkohë pritet që nesër vizitën e tij ta vijojë në Tiranë, ku politika ka ulur ”armët” dhe ka një marrëveshje PS-PD-LSI për Reformën Zgjedhore.

Në këtë vizitë pritet që Varhelyi të theksojë edhe një herë përkushtimin e plotë të Komisionit Europian ndaj së ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në Tiranë ai do të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe përfaqësues të tjerë të shtetit.

Pritet që Komisioneri Europian gjatë qëndrimit në Shqipëri të vizitojë edhe qytetin e Durrësit, i cili në fund të nëntorit është goditur nga një tërmet shkatërrues. BE-ja në tetor të vitit të kaluar nuk e ka miratuar nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Europian se ato i kanë përmbushur kushtet.

SHKARKO APP