Marrëveshje Kosovë-Serbi, por pa firmë. Detajet nga takimi në Ohër
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por pa firmë. Kështu tha Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja”, deklaroi Borrell pasi ndërmjetësoi një takim maratonë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar dokumentin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit në Ohër ka thënë para mediave se janë pajtuar për disa çështje por asgjë nuk është nënshkruar, përkundër asaj që kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nënshkrimin e propozimit evropian.
Sipas tij, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, do të krijohet sipas asaj që është nënshkruar dhe duhet të jetë në planin e implementimit, megjithatë shtoi se nuk e di nëse do të jetë ashtu.