Marrëveshje me Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Provës

Paneli moderohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, ndërsa në krah të tij ndodheshin Drejtori i Shërbimit të Provës, z. Ilir Qafa dhe Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig. Të pranishëm ishin edhe drejtuesit e IEVPenale dhe drejtorive të Shërbimit të Provës.

Në fjalën e tij të hapjes, z. Zoto iu referua bashkëpunimit dypalësh si të suksesshëm, duke shtuar se duhen lehtësuar praktikat e deritanishme, në mënyrë që të jetë më efikas.

“Nëshkrimi i marrëveshjes midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Provës vjen në një moment të rëndësishëm të zhvillimit të politikave penale në vendin tonë, të orientuara drejt aplikimit të dënimeve alternative, si dhe duke e konsideruar burgun si mjet i fundit. Rregullat europine të vënies në provë dhe praktikat më të mira të Konfederatës Europiane të Shërbimit të Provës përcaktojnë shumë qartë se ri-integrimi i të dënuarve në shoqëri realizohet nëpërmjet bashkëpunimit institucional, social dhe më gjerë. Marrëveshja që nënshkruajmë sot sjell risi që kanë të bëjnë me angazhimin që marrin palët për të bashkëpunuar që në momentin e përgatitjes për lirim të personave, duke respektuar në këtë mënyrë detyrimet që dalin nga legjislacioni vendas dhe ai europian. Si rrjedhojë, ka nevojë të hartohen programe specifike, të cilat në këtë rast do të gjejnë kontributin e të dyja palëve.”– u shpreh në fjalën e tij Drejtori i Burgjeve, Zoto.

Marrëveshja e re dypalëshe synon të forcojë dhe nxisë bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të një kalimi të suksesshëm të personave në konflikt me ligjin nga jeta në burg në jetën në komunitet. Ajo i kushton rëndësi të veçantë edhe ngritjes së komisioneve të përbashkëta për hartimin e programeve të trajtimit individual dhe në grup për personat në prag lirimi. Ndërkohë, për herë të parë do të aplikohet “shërbimi pas lirimit”, që nënkupton mbajtjen e komunikimit me të dënuarit pas lirimit dhe fokusimin tek trajtimi, asistimi dhe punësimi me pëlqimin e tyre.Drejtori i Shërbimit të Provës, z. Qafa, e quajti këtë program “njëpërkujdesje të mëtejshme për riintegrimin vullnetar në komunitet, të planifikuar dhe të mbikëqyrur nga Shërbimi i Provës”.

 

 “Shërbimi i Provës është gjithmonë e më tepër i orientuar drejt përmbushjes dhe realizimit të veprimtarive, që synojnë riintegrimin social të të dënuarve me masa alternative, si dhe  zhvillimin e ndjenjës së përgjegjësisë ndaj komunitetit dhe të dëmtuarve prej veprave antisociale.

Është rritur bashkëpunimi në përmbushjen e masave në komunitet dhe kryesisht, ato të punës në interes publik, duke ndërgjegjësuar të dënuarit se impenjimi i tyre në përmbushjen e detyrave të ndryshme përmirëson vetëvlerësimin e tyre nga njëra anë dhe njëkohësisht, rrit vlerësimin e komunitetit për efikasitetin e masave alternative. Marrëveshja e sotme krijon bazën ligjore edhe për përmbushjen e standardeve evropiane para hyrjes në fuqi të ligjit për Shërbimin e Provës. Për këtë qëllim, synohet instaurimi i marrëdhënieve të vazhdueshme me administratën e burgjeve, familjarët e të dënuarve, komunitetin dhe njësitë e pushtetit vendor dhe cdo institucion tjetër që ka një rol në procesin e riintegrimit të të dënuarve.”- u shpreh ndër të tjera Drejtori i Shërbimit të Provës, Qafa.

 

Gjatë punës për hartimin e marrëveshjes dypalëshe ka kontribuar edhe Prezenca e OSBE-së, për të sjellë një përqasje të saj me praktikat europiane. Ambasadori Raunig, i pranishëm në panel, e përshëndeti nismën për forcimin e bashkëpunimit me anë të marrëveshjes, në funksion të zgjerimit të zbatueshmërisë së shërbimit të provës.

 

“Është kënaqësi të jem këtu sot për të shënuar këtë gur themeli në bashkëpunimin midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës, që janë partnerë kyçë të Prezencës së OSBE-së. Mbrojtja e të drejtave të personave në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri është përmirësuar në mënyrë domethënëse, kryesisht si rezultat i angazhimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ne vlerësojmë, gjithashtu, edhe hapat e ndërmarrë për krijimin e Shërbimit të Provës në Shqipëri, insitucion ky që ndihmon për uljen e mbipopullimit në burgje, duke ofruar, si rezultat, kushte më të mira. Prezenca ka qenë shumë aktive në fushën e reformës në burgje, duke ofruar asistencë ligjore dhe duke mbështetur institucione si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Shërbimi i Provës në Shqipëri, krijuar me ndihmën e Prezencës, përfaqëson një hap madhor në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë penale, në përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe standardet e OSBE-së.”- theksoi në fjalën e tij Ambasadori Raunig.

 

Marrëveshja parashikon angazhimin e të dy palëve në realizimin e fushatave informuese e ndërgjegjësuese me personat e dënuar në të gjitha burgjet e vendit, në mënyrë që ata të përfitojnë sa më shumë nga dënimet alternative. Kjo veprimtari nisi menjëherë pas ceremonisë së sotme, nëpërmjet disa vizitave në IEVP Fushë- Krujë, “Ali Demi” dhe “Mine Peza”, ku specialistët e shërbimit të provës i njohën të burgosurit me informacione në formën e fletë-palosjeve.

 

SHKARKO APP