Marrëveshje për bujqësinë dhe administratën publike, Rama: 350 milionë euro investime hungareze në Shqipëri
Dy marrëveshje, njëra në bujqësi dhe tjetra në administratën publike, u nënshkruan në Budapest nga kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare, vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian të Shqipërisë, ndërsa u ndal te investimet hungareze në vendin tonë, që sipas Ramës, arrijnë shifra mbreslënëse deri në 350 milionë euro.
”Ne kërkojmë që të mësojmë gjithnjë e më shumë nga Hungaria dhe nga të gjithë ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm. Nënshkruam dy marrëveshje mirëkuptimi, në bujqësi dhe në administratën publike, që është shumë e rëndësishme për të gjitha ato vende që janë në procesin e anëtarësimit. Ne ndihemi të inkurajuar që shoqëritë hungareze po investojnë, shifra e investimeve që vijnë nga Hungaria është e pazakontë, bëhet fjalë për 350 milionë euro, është shifër mbreslënëse për ekonominë tonë”,-tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te turizmi, me synimin për të thithur më shumë investime edhe në këtë sektor. ‘‘Për momentin, ne po shikojmë një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. 10 milion kishim vjet, 12 këtë vit. Ne duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe të kemi flamurin hungarez në Shqipëri. Na pëlqen shumë flamuri hungarez, nuk e shohim sikur do të na pushtojë”.