Mars-prill, niveli më i ulët i kriminalitetit në një dekadë
Shifrat e kriminalitetit në 6 mujorin e parë të vitit kanë pësuar luhatje, kjo për shkak të pandemisë e sidomos periudhës së karantinës, ku veprat penale dhe aksidentet u ulën ndjeshëm, ndërsa pas majit, ato kapërcyen në nivelet e mëparshme.
Pandemia dhe karantina ka ndikuar ndjeshëm edhe në uljen e numrit të aksidenteve rrugore. Në muajt mars prill zyrtarisht raportohet se numri i aksidenteve u ul në masën rreth 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por edhe me muajt janar-shkurt të këtij viti ku qarkullimi ishte i lirë para karantinës.
Edhe në muajin qershor numri i aksidenteve ka ardhur në ulje dhe sipas specialistëve pritet që trendi të vazhdojë i tillë edhe në muajt korrik dhe gusht, për shkak se ndryshe nga vitet e kaluara, pandemia ka bërë që emigrantët shqiptarë të mos kthehen për të kaluar pushimet, duke ulur qarkullimin e mjeteve dhe rrjedhimisht edhe numrin e aksidenteve.