Janë riaktivizuar tensionet dhe përplasjet në protestë, aty ku për disa orë kishte rënë qetësia, por në marshimin e tyre nga Kryeministria për në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, papritur u hodh gaz lotsjellës nga tarraca e Ministrisë së Brendshme. Më pas një pjesë marshoi në ”Rrugën e Dibrës”, ku protestuesit kanë djegur kazanë të mbetjeve. Sakaq në zonën e Medresesë, efektivët e Policisë po kalojnë në çdo rrugicë, këmba-këmbës për të shpërndarë dhe shoqëruar protestuesit.
Ora 18:45. Një pjesë e protestuesëve po kalojnë në ”Rrugën e Dibrës”, ku po digjen koshat e mbetjeve. Një tjetër grup ndodhet te Bulevardi ”Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit qëndronin të ndarë në dy grupe, njëri pranë Kryeministrisë dhe tjetri te Parku Rinia. Pas mbërritjes së të rinjve të maskuar, të cilët u vendosën në krye të protestës, turma u zhvendos drejt Kryeministrisë për t’u bashkuar me grupin tjetër.
Protestuesit u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave në zonën e Piacës, në një përpjekje për të ngadalësuar lëvizjen e forcave të policisë.
Situata në terren mbetet e tensionuar, ndërsa akti i djegies së kazanëve ka shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e situatës dhe përplasjet e mundshme mes protestuesve dhe efektivëve të rendit.










