Marshimi i VV-së i 28 nëntorit, Abazi: Pavarësia po boshatiset, nuk kemi as bashkim, as zhvillim
Më 28 Nëntor, ditën e Pavarësisë, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë ka thirrur një marshim. Kreu i VV-së, Bojken Abazi, i ftuar në Ora News zbardhi detaje rreth këtij manifestimi.
Sipas Abazit, shqiptarët nuk kanë më sovranitet për tu zhvilluar, prandaj Pavarësia po boshatiset. Abazi thotë se 28 Nëntori është datë që shënon bashkim të shqiptarëve dhe zhvillim të Shqipërisë, të cilat nuk i kemi.
Bojken Abazi: Faleminderit që po e ngrini për aktivitetin që po zhvillojmë më 28 nëntor si një marshim që nis nga monumenti i heroit kombëtar Skënderbeu, dhe vazhdon drejt monumentit të Adem Jasharit. Kemi përzgjedhur këto dy figura të rezistencës çlirimtare shqiptare duke ndjekur dhe linjën historike të kësaj rezistence.
Por ne nuk mendojmë që vetëm simbolet mjaftojmë. Besojmë që kauzat e brendshme problematike të Shqipërisë administrative janë të lidhura me mënyrën si mund të zgjidhim integrimin kombëtar drejt bashkimit kombëtar. Ata që në Shqipëri thellojnë padrejtësitë, pabarazitë, forcojnë oligarkinë, varfërojnë shumicën e qytetarëve, dëmtojnë lumenjtë, ndikojnë në përkeqësimin e të drejtave të grave, shkatërrojnë mundësitë e prodhimit dhe përqendrohen vetëm tek tregtia duke importuar mallra që e vërshojnë tregun shqiptar dhe ia pamundësojnë fermerëve zhvillimin, të gjithë këta, për bindjen tonë të thellë janë njerëz që punojnë kundër çështjes kombëtare.
Ne besojmë që çështja kombëtare nuk është një guaskë bosh. Pavarësia e Shqipërisë, ajo që është shpallur me 28 nëntor, së pari është datë e cila shënon sërish dhe një projekt për bashkim të shqiptarëve dhe për një Shqipëri të zhvilluar. Ne nuk e kemi këtë sot, nuk kemi as bashkimin, as zhvillimin.
Por për më tepër duket sikur ajo Pavarësi po boshatiset brenda duke i hequr shqiptarëve mundësinë për ta përdorur sovranitetin e tyre për tu zhvilluar vetë.