Masa të ashpra për shoferët e rinj dhe kalimtarët
Me ndryshimet e reja, pritet që të ashpërsohen edhe masat për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Mësohet se një prej propozimeve që do të bëhet është që drejtuesit e rinj të automjeteve të kenë më shumë penalizim se sa të tjerët. Propozimi parashikon që ata kanë më pak se 3 vite që kanë marrë patentën, do të ndëshkohen 50 % më shumë për disa nga shkeljet e qarkullimit rrugor, si parakalimet e gabuara, për përdorimin e alkoolit, mosdhënien e përparësisë, e disa shkelje të tjera.
Në një sondazh të publikuar në faqen e Policisë Rrugore ku kërkon që qytetarët të japin mendimin e tyre nëse janë dakord apo jo me këtë ndryshim, më shumë se 60% e tyre kanë qenë dakord. Po ashtu, propozime për ashpërsim të masave do të kërkohet edhe drejtuesit e mjeteve që lëvizin duke përdorur celularin. Për këtë shkelje, gjoba varion nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të vjetra, e ndërsa tashmë pritet që në propozimin e policisë, gjoba të shkojë nga 200 deri në 300 mijë lekë të vjetra.
Ndërsa për këmbësorët gjoba ka variuar nga 500 deri në 2 mijë lekë dhe me ndryshimet që pritet t’i bëhet Kodit Rrugor, gjoba do të variojë nga 1 mijë deri në 4 mijë lekë. Vitin e kaluar në të gjithë vendin policia vendosi mbi 502 mijë gjoba, ku 59.200 gjoba janë vendosur vetëm për shoferët që lëviznin me celularë, ndërsa 670 gjoba vetëm për këmbësorët që nuk kalojnë në viza të bardha, apo në mbikalime.