Masakra e Krushës, Balla: Basha fshehu kasetën e filmimeve dhe nuk e vuri në dizpozicion të hetimeve për krimet serbe në Kosovë
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka publikuar një dokumentar kushtuar masakrës së Krushës së Madhe në komunën e Rahovecit në Kosovë, një prej masakrave më të mëdha të serbëve ndaj popullit të Kosovës, ku mbetet mister fati i 65 personave ende të pagjetur.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook, numri dy i PS-së, Balla deklaron se e vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica ia kishte dorëzuar LULEZIM BASHËS, në atë kohë punonjës/përkthues i UNMIK.
Sipas Ballës, kjo kasetë e plotë nuk u publikua kurrë dhe mbetet mister pse Lulëzim Basha nuk e vuri në dizpozicion të hetimeve për krimet serbe në Kosovë. Balla i bën thirrje Lulëzim Bashës të përgjigjet sot ku e ka fshehur këtë kasetë filmike dhe t’ia kthejë këtë provë të rëndësishme Kosovës dhe drejtësisë! “Marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo masakër”, shkruan Balla.
Postimi i plotë i Taulant Ballës
Një ndër masakrat më të mëdha serbe ndaj popullit të Kosovës është ajo e Krushës. E vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica ia kishte dorëzuar LULEZIM BASHËS, në atë kohë punonjës/përkthues i UNMIK. Kjo kasetë e plotë nuk u publikua kurrë dhe mbetet mister pse Lulezim Basha nuk e vuri në dizpozicion të hetimeve për krimet serbe në Kosovë. Milaim Bellanica është dëshmitar i masakrës së Krushës së Madhe i cili mundi të filmonte ekzekutime, fjalime të ndryshme të serbëve në Krushë të Madhe.
I bëj thirrje Lulezim Bashës të përgjigjet sot ku e ka fshehur këtë kasetë filmike dhe t’ia kthejë këtë provë të rëndësishme Kosovës dhe drejtësisë!
Marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo masakër. Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi Serbinë, forcat pushtuese serbe në pamundësi për t’u përballur me forcat e NATO-së dhe UÇK-së, me mizori masakruan popullin e pambrojtur të Kosovës.
Ish-ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer, bashkë me ish-Ministrin e Mbrojtjes Rudolph Scharping, me 23 qershor të vitit 1999 vizituan fshatin Krushë e Madhe. Joschka Fischer u shpreh: ”Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviçin këtë herë ta konfrontonim ushtarakisht dhe me vendosmëri”.
Po ashtu edhe ish-ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook, gjatë vizitës në Krushë më 24 qershor të vitit 1999 u shpreh: “Nuk do të mbyllim sytë para kësaj… kjo është e tmerrshme. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar nga kjo… jemi duke i ndjekur ata që kanë instruktuar këto krime dhe fushatën sistematike të krimeve”.
Ende sot ende mbetet mister fati i të pagjeturve. Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, profesori Ukshin Hoti. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, dhe shumë të pagjeturve të tjerë është sprovë e ndërgjegjes sonë politike e kombëtare.