Masakra në Krujë, Babai vetëdorëzohet merr përsipër vrasjen e trefishtë, shfajëson 3 djemtë
Gurali Kora, babai i tre djemve ende në arrati merr përsipër autorësinë e masakrës së 5 qershorit në Thumanë, ku mbetën të vrarë, babai, djali dhe nipi i familjes Çeku si dhe u plagos rëndë bashkëshortja, Luçie Çeku.
Burime nga policia e Durrësit i thanë Ora News se Gurali Kora ka tentuar të shfajësojë tre djemtë e tij.
56 vjeçari u vetëdorëzua në policinë e Kurbinit në orët e para të mëngjesit të sotëm, e hënë e 8 qershor. Burimet e policisë konfirmojnë se kryefamiljari ka shkuar vet në polici pas nisjen së aksionit të gjerë të policisë së shtetit gjatë natës në Kurbin.
Sot paradite ai u mor në pyetje ku dhe mësohet se ka pranuar autorësinë.
Policia e Durrësit një ditë më parë vuri në dispozicion 10 mijë euro shpërblim për këdo që do japë informacion për vendndodhjen e autorëve të vrasjes së Fran e Arben Çeku dhe nipit të tyre 20 vjeçar Eno Rama.
Gjithashtu është vënë në dispozicion numrin e telefonit 0694110217 dhe linjat pa pagesë 129 dhe 126. Policia sqaron se të 4 autorët Pëllumb, Daniel, Besnik dhe Gurali Kora, përkatësisht 26, 28 30 dhe 56 vjec nga Kruja, janë persona me precedentë të mëparshëm penalë.
Kyçet banesa e familjes Guri
Banesa e familjes Guri tashmë është e mbyllur. Anëtarët e mbetur, gruaja e Gurali Korës, nusja me fëmijën e vogël e njërit prej djemve, janë larguar nga policia, për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme pas vrasjes së Fran e Arben Çekut dhe Eno Ramës
Si ndodhi masakra
Ngjarja ndodhi mesnatën e së premtes 5 qershor në Thumanë të Krujës.
Vrasja e ka zanafillën në një konflikt të rreth 1 muaji më parë mes shoferave të furgonave.
Sipas policisë së Durrësit, Arben Çeku, i kthyer pak kohë më parë nga Italia, afro një orë para krimit të rëndë i ka kërkuar llogari Pëllumb Korës për ngjarjen e një muaji më parë ku sëbashku me vëllezërit e tij kishin rrahur shokun e Arbenit, i cili punonte gjithashtu si shofer furgoni.
Kjo nuk është pritur mirë nga vëllezërit Kora, të cilët kanë nisur të konfrontohen fizikisht me Arben Çekun brenda ambienteve të lokalit, ku vetëm pas ndërhyrjes së klientëve janë larguar.
Por, kur të gjithë mendonin se konflikti ishte mbylluar mes tyre, antarët e familjes Kora kanë marrë armët dhe i kanë vrarë në banesën e tyre tre anëtarët e familjes Çeku, ndërsa lanë të plagosur 66- vjeçaren Luçie Çekun, bashkëshorten e Fran Çekut.
KOHA JONË SONDAZH

