Masakra në Mat, familjarët e autorit: S’dalim te pragu i derës
“Kujtimi na ka marrë fytyrën. Na ka turpëruar jo vetëm këtu në fshat e në zonë, por në të gjithë vendin. Që nga dita kur ndodhi ngjarja, ne nuk guxojmë të dalim as tek oborri i shtëpisë. Nuk e dimë pse e bëri dhe si e bëri atë krim të tmerrshëm. Edhe sikur të na falin familjarët e viktimave, ne nuk mund t’u dalim më para syve”. Këto janë fjalët e familjes së 51-vjeçarit, autorit të masakrës në Mat, me 3 të vrarë dhe një të plagosur.
Menjëherë pas ngjarjes ku mbetën të vrarë shtetasit Mentor Hoxha 36 vjeç, Erzen Aliaj 49 vjeç dhe Hamit Buçi si dhe mbeti i plagosur Astrit Hani, 40 vjeç familja Koxha është ngujuar.
Pjesëtarët e familjes Koxha kanë dënuar aktin e rëndë, vetë autori i krimit makabër nuk ka shprehur pendesë për marrjen e tri jetëve dhe lënien jetimë të fëmijëve të viktimave. Dy ditë më parë ai është justifikuar para oficerëve të policisë gjyqësore me fjalët se njëri nga viktimat e kishte fyer dhe e kishte qëlluar me shuplakë.
“Njëri nga ata më qëlloi me shuplakë dhe më tha je i dehur. Më pas nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur”, është shprehur 51-vjeçari, i cili pohohet të jetë person problematik.
KOHA JONË SONDAZH

