Masakra në Selenicë, partia ZGJIDHJA: Gjendja e rëndë dhe pafuqia e shtetit
Partia ZGJIDHJA, përmes një deklarate për shtyp reagon në lidhje me tragjedinë e mbrëmshme në Selenicë të Vlorës, ku Ridvan Zykaj vrau 8 të afërm dhe plagosi 6 të tjerë. ZGJIDHJA shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ngjarjen e rëndë kriminale, ndërsa thekson se masakra tregon gjendjen e rëndë të shoqërisë dhe pafuqinë e shtetit për të vepruar.
Deklarata
Masakra e përbindshme në një fshat të Selenicës, me 8 të vrarë, është ngjarja më e fundit në një vend ku vrasjet, vetëvrasjet, plagosjet, aksidentet tragjike, dhuna ndaj grave dhe fëmijëve janë bërë të vetmet lajme që prodhon Shqipëria. Partia ZGJIDHJA u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të pafajshme. Kjo tragjedi e pamatë njerëzore tregon gjendjen e rëndë ku ndodhet shoqëria shqiptare dhe pafuqinë e shtetit që nuk ekziston.
Autori i krimit të tmerrshëm ishte një kontigjent i njohur për policinë dhe ishte ndaluar për armëmbajtje pa leje. Por ai, ashtu si dhe shumica e shqiptarëve, kishte mundësinë të mbante armë, sepse strukturat shtetërore nuk e kanë pjesë të punës së tyre të përditshme parandalimin e krimeve, evidentimin dhe monitorimin e personave me precedentë penalë.
Me këtë qeveri dhe me kryeministrin që qeveris vendin me statuse në Facebook ku nuk pushon së deklaruari arrijtet e Shqipërisë imagjinare, gjërat në këtë vend do të shkojnë gjithnjë e më keq, pasiguria dhe krimi do të rriten dhe shqiptarët do të mbeten vetëm me sytë për matanë detit.
Ky vend do të rikthehet në normalitet vetëm kur në krye të ketë qeveritarë të përgjegjshëm dhe që e duan Shqipërinë, jo për ta plaçkitur, por për ta zhvilluar.
KOHA JONË SONDAZH

