Masakra në Tiranë për kromin, italiani dyshohet si vrasës me pagesë

Vrasja e tre personave pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pasditen e së mërkurës, dyshohet se ka ndodhur për “gjakmarrje”. Përplasja me armë mes dy grupeve, ka ndodhur në shenjë hakmarrje, pasi Mentor Lufi objektivi kryesor i kësaj ngjarje dyshohet nga policia se ka vrarë shtetasin Durim Sulku në Holandë. Në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Besnik Sulku ka organizuar vrasjen e djeshme, por pas përplasjes me armë ai ka mbetur edhe vetë i vrarë.  I tërë konflikti, pas hetimeve të para, dyshohet se ka nisur për shkak të problemeve të Kromit në Bulqizë dhe trafiqeve të ndryshme që mendohet se viktima Lufi dhe Sulku kishin zhvilluar më herët jashtë territorit shqiptar.

Sipas akuzës dyshohet se gjithçka ka nisur në fillim të këtij viti, kur Mentor Lufi dhe Durim Sulku kanë shkëmbyer debate të forta mes tyre për problemet e kromit. Mentor Lufi mbeti i plagosur në shkurt të këtij viti. Për plagosjen e tij, dosja në polici nuk ka një autor, por vetë i plagosuri dyshonte se ishte organizuar nga Durim Sulku. Ky i fundit është ekzekutuar me një plumb në kokë, disa kohë më parë në Holandë. Për këtë vrasje, i vëllai i tij, Besniku kishte organizuar atentatin duke paguar edhe shtetasit italian Salvatore Lettizia.  Mentor Lufi pas plagosjes shoqërohej vazhdimisht nga dy nipërit e tij, Markeljan dhe Klevis Doçi, të cilët ishin me të edhe në ditën e atentatit dhe janë tashmë të arrestuar. Sipas policisë, Durim Sulku ka organizuar atentatin e djeshëm,  ku mbeti i plagosur Mentor Lufi.

Hetuesit thanë se dy atentatorët Sulku dhe italiani Lettizia pasi kanë vëzhguar për disa ditë lëvizjet e Mentor Lufit, i  kanë zënë pritë atij pranë Maternitetit Mbretëresha Geraldinë. Sipas policisë, Mentor Lufi ishte i shoqëruar nga Gerti Goxhaj, me të cilin janë nisur drejt stacionit të trenit me makinën e tyre “BMË” me targa AA 001IK. Makina drejtohej nga Goxhaj. Pas makinës së tyre, vinin dy nipat Markeljan dhe Klevis Doçi me makinën tip “Tuareg”, me targa AA 097 KE. Me të mbërritur pranë makinës ku ndodhej Goxhaj dhe Lufi janë afruar Besnik Sulku dhe italiani Salvatore Lettizia, duke qëlluar në drejtim të tyre. Si pasoj e të shtënave kanë ndërruar jetë shoferi i mjetit Goxhaj dhe Lufi, ndërsa dy nipat e këtij të fundit e kanë goditur me makinë italianit Lettizia dhe janë vënë në ndjekje të Sulkut, të cilin e kanë qëlluar për vdekje. Ndërkohë italiani ka arritur të ngrihet dhe të largohet drejt ambienteve të një hoteli, ku edhe është arrestuar më pas nga policia.

Në momentin e të shtënave, pranë makinës së viktimave është afruar një makinë private me dy punonjës policie të objekteve, të cilët kanë dalë nga makina duke i drejtuar pistoletën dy nipave të Mentor Lufit. Mësohet se njëri nga policët ka qëlluar dy herë në ajër, çka ka bërë që shtetasit Markeljan dhe Klevis Doçi të dorëzohen. Pas shoqërimit në polici, gjatë marrjes në pyetje ata kanë pranuar ngjarjen duke treguar edhe konfliktin e vjetër me familjan Sulku. Ndërsa shtetasi italian nuk e ka pranuar vrasjen, por në xhupin e tij është gjetur një foto e Mentor Lufit si dhe është gjetur edhe pistoleta të cilën e kishte hedhur në një puset para se të mbërrinte në hotel ku ka tentuar të fsheh gjurmët. Nga e kaluara e tij kriminale dhe prania në këtë ngjarje, policia dyshon se italiani mund të ishte vrasës me pagesë.

SHKARKO APP