Masakra shkakton debat mes deputetëve: S’mund të vini në pushtet duke folur për vrasjet
Ngjarja kriminale me tre të vrarë në Fushë-Krujë, përplasi këtë të hënë deputetët në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, ku secila palë e përdori në interes të politikës së tyre. Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia kërkoi nga demokratët që të mos bëjnë politikë me ngjarje të tilla, duke e konsideruar si mjaft të rëndë atentatin mafioz.
“Është e rëndë, kërkon kohën e vet. Nuk mund të jetë policia ku ndodh ngjarja, se ashtu do e quanim bashkëpunëtore. Ti lëmë kohën e duhur organeve përkatëse. Nuk mund të kryejmë veprime për të inkurajuar krimin, një ngjarje e rëndë për të cilën duhet të shqetësohemi të gjithë”.
Kurse deputeti i Partisë Demoktatike, Ervin Salianji tha se shteti po tregon pafuqi në kapjen e autorëve. “Nuk po gëzohet njeri, ne po themi se shteti po tregon pafuqi në kapjen e tyre. Unë propozoj të gjithë bashkë të mbajmë një qëndrim që të jemi në mbështetje të Policisë së Shtetit. Ka shumë ngjarje pa autor. Po flasim për një situatë të rëndë kriminale në Shqipëri. Ju bën mirë të dënoni cilindo politikan, që për shkak të lidhjes së politikës më krimin po ndodhin ngjarje të rënda kriminale, vepron mafia si me ushtri”.
Duke ironizuar opozitën, kreu i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço duke e cilësuar si shumë të rëndë ngjarjen, tha se PD-ja nuk mund të vijnë në pushtet duke folur për vrasjet.