Masat antiCOVID-19, Balla e Kushi shpërndajnë tableta dixhitalë për nxënësit e shkollës “Sali Halili” në Rrajcë
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, së bashku me Ministren e Arsimit Evis Kushi dhe kryetarin e Bashkisë së Prrenjasit, Nuri Belba vizituan shkollën e mesme të bashkuar “Sali Halili” në Rrajcë.
Kryefjala e këtij inspektimi ishte situata e pandemisë, ecuria në këtë shkollë dhe shpërndarja e tabletave dixhitalë për nxënësit e klasave kolektive.
Shkolla e mesme e bashkuar e Rrajcës është shkolla kryesore e kësaj zone.
Në të mësojnë nxënës të cilët vijnë nga zona shumë të thella të Prrenjasit, e megjithatë, falë transportit të siguruar nga bashkia, ecuria e mësimit është normale.
Por, 570 nxënësit e kësaj shkolle kanë nevojë të mësojnë në kushte bashkëkohore, pasi godina është e amortizuar dhe në nevojë emergjente për ndërhyrje.
Bashkia e Prrenjasit ka dërguar në Ministri të Arsimit projektin për rikonstruksionin e shkollës ndërsa Ministrja Kushi, nisur nga gjendja e objektit, shprehu bindjen se kjo shkollë do të përzgjidhet për rikontruksion vitin e ardhshëm.
Në fjalën e tij, Balla vuri në dukje kontributin e kësaj shkolle në arsimimin e brezave të tërë dhe në nxjerrjen e emrave e figurave të njohura në vend.
Fatmirësisht situata e pandemisë në zonën e Prrenjasit nuk është e rënduar. Ministrja konstatoi se nxënës e mësues, me ndihmën në bazë materiale nga ana e bashkisë, respektonin të gjitha rregullat anti COVID-19.