Masat e reja ndaj Covid-19, Tomini: Mbyllja më herët, por edhe zgjatja e pushimeve në shkolla
Pandemia e Covid-19 sa vjen dhe bëhet më agresive sa i takon shifrave, ndaj dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve po diskuton mundësinë e aplikimit të masave të tjera. Ndër propozimet e hedhura janë, mbyllja më herët se ora 22:00 e të gjithë aktiviteteve, ndalimi i festimeve në grup për fundvit si dhe zgjatja e pushimeve dimërore për institucionet arsimore. Disa propozime janë që shkollat të mbyllen fundjavën e ardhshme për të rifilluar, më 11 janar.
Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik Eugena Tomini, thotë se situata nga epidemia vijon të jetë kritike edhe pse ka një qëndrueshmëri sa i përket rasteve të reja. ”Kjo periudhë e caktuar, qoftë nga rrjetet sociale dhe dhëniet e mesazheve të gabuara për mos t’u kërkuar ndihma spitalore, bëri që shumë të rrinin në shtëpi edhe kur rekomandohej shtrimi në spital”, thotë Tomini për A2.
Në lidhje me të shëruarit që zyrtarisht janë 23 mijë që nga fillimi i epidemisë, specialistja e ISHP tha se edhe kjo kategori duhet të respektojë masat mbrojtëse pavarësisht imunitetit të krijuar. ”Duhet të theksohet që një njeri që ka kaluar Covid-19 mbart mbrojtje kundrejt virusit, pavarësisht që kjo nuk reflektohet në testin serologjik. Por, sërish duhet të jemi të kujdesshëm dhe të respektojnë masat mbrojtëse, për të minimizuar infeksionet e tjera, por edhe një riekspozim i mundshëm”,-tha më tej ajo.