Masat për Covid-19, UNICEF synon zbutjen e ndikimit të pandemisë në Shqipëri

UNICEF, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, si dhe partnerët lokalë po bashkëpunojnë për të zbutur ndikimin e pandemisë së COVID-19 në Shqipëri.

Është thelbësor që publiku të informohet mbi atë që dihet dhe nuk dihet për pandeminë, si dhe lidhur me masat që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren në vijim për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Kjo pandemi ka shkaktuar një krizë globalë të paprecedentë, duke sjellë problematika shëndetësore, humanitare, socio-ekonomike, si dhe të të drejtave të njeriut. Krahas ndikimit negativ në sistemin e shëndetit publik, COVID-19 ka ndryshuar edhe rutinën e jetës së përditshme të fëmijëve, kjo si rrjedhojë e mungesës së aksesit në shërbimet themelore sociale.

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale po bashkon forcat me UNICEF dhe USAID për të nisur një fushatë të re të quajtur ‘‘Superheroes wear masks and hug with heart (Superheronjtë mbajnë maska dhe japin përqafime plot dashuri)’’, me qëllim promovimin e parandalimit të COVID-19. Kjo fushatë, e cila nis zyrtarisht ditën e sotme, më 8 shtator, bashkon një sërë nismash, duke përfshirë edukatën e higjienës personale dhe promovimin e shëndetit për të përmirësuar ndërgjegjësimin e përgjithshëm mbi COVID-19, si dhe për mënyrat se si mund të parandalohet transmetimi i tij.

Fushata #SuperheroesWearMask synon të arrijë te fëmijët, familjet dhe mësuesit përmes platformave tradicionale dhe ato dixhitale. Audienca të ndryshme në mbarë vendin do të marrin mesazhe të përditshme të personalizuara përmes mediave sociale. Fushata synon të ndihmojë 1 milion njerëz përmes platformave televizive dhe atyre online të UNICEF.

UNICEF-i punon për të përmbushur nevojat e fëmijëve, të komuniteteve, të sistemeve dhe strukturave shëndetësore, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe adresimin e ndikimit të drejtpërdrejtë shëndetësor dhe social-ekonomik të pandemisë te fëmijët dhe të rinjtë, në mënyrë të veçantë te grupet më të cenueshme.

Aktualisht, UNICEF-i po jep informacione të sakta mbi parandalimin e sëmundjes dhe çështje të tilla si: higjiena personale dhe në familje. Gjithashtu, po u shpërndan kopshteve, shkollave dhe klinikave shëndetësore materiale dhe dezinfektantë, me qëllim promovimin e praktikave të rekomanduara të higjienës, si dhe për të mbështetur funksionimin e sigurt të këtyre institucioneve.

UNICEF-i i është mjaft mirënjohës ndaj USAID-it dhe popullit amerikan për mbështetjen e tyre bujare. Deri më tani, USAID-i ka siguruar 1,4 milionë Dollarë për UNICEF Shqipëri përmes një granti botëror nën ombrellën e USAID/UNICEF.

UNICEF Shqipëri bashkëpunon me Qeverinë shqiptare për të përmirësuar sektorin shëndetësor të vendit, veçanërisht në fushat që lidhen me kujdesin e nënave, të foshnjave dhe të fëmijëve. UNICEF-i Shqipëri do të punojë në kuadër të infrastrukturës së drejtuar nga Kombet e Bashkuara, në koordinim të ngushtë me OBSH-në, nën drejtimin e sistemit kombëtar të qeverisjes, si dhe me partnerë të shoqërisë civile për të mbrojtur fëmijët dhe familjet e tyre nga ekspozimi ndaj COVID-19 dhe për reduktimin e vdekshmërisë.

SHKARKO APP