Masat për parandalimin e COVID-19, Kuvendi takim online me OSBE, ja detajet
Pavarësisht pandemisë globale të shkaktuar nga COVID-19, Kuvendi i Shqipërisë po vijon punën normalisht përmes videokonferencave. Sot u zhvillua një takim pune nëpërmjet platformës virtuale CISCO/WEBX për të diskutuar masat që janë ndërmarrë në përgjigje të situatës së krijuar prej COVID-19 dhe si këto masa mund të plotësohen për të siguruar transparencën e veprimtarisë së Kuvendit dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Nisma për organizimin e këtij takimi erdhi nga organizatat partnere të Kuvendit, OSBE dhe NDI, në kuadër të projektit me financim zviceran Mbështetja për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar, PACEP. Kjo nisëm u mbështet nga Sekretariati për Transparencë dhe Teknologjinë e Informacionit, kryesuar nga Vilma Bello dhe nëpunësit e administratës së Kuvendit përgjegjës për çështjet e komisioneve, procedurave parlamentare, transparencës dhe përfshirjes së publikut në vendimmarrje.
Pjesëmarrësit dakortësuan një sërë masash konkrete, si dhe hartimin e një plani pune, mbi transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. Gjithashtu u diskutua për organizimin e takimeve informuese/vlerësuese me grupin e gazetarëve që mbulojnë punimet e Kuvendit dhe organizata të shoqërisë civile në dy javët në vijim, që do t’i shërbejë edhe më mirë këtij procesi. Këto takime vijnë në një kohë kur Kuvendi po ndërton mekanizma të reja për t’iu përshtatur situatës, që të sigurojë ushtrimin e plotë të funksionit ligjvënës, kontrollues, mbikëqyrës.