Masat për zjarret në pyje e kullota, Goxhaj: Janë shtuar 3 stacione
Stina e verës është periudha ku reparti i shërbimit zjarrfikës kalon në gatishmëri të përforcuar. Drejtori i Zjarrfikësve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, thotë se vëmendje të shtuar do të kenë pyjet dhe kullotat në periferi të kryeqytetit.
“Shërbimi Zjarrfikës kalon në gatishmëri, jemi shumë të përqendruar për t’i përballuar këto situata në mënyrë që mos të kemi humbje të jetëve njerëzore dhe të mos kemi dëmtime në prona dhe në banesa të qytetarëve. Që t’i përballojmë këto situata, duhet bashkëpunim me drejtoritë dhe institucionet e tjera”
Goxha thotë se krahas shtatë stacioneve të vendosura në zona të ndryshme, gjatë verës u shtohen dhe 3 të tjerë që do jenë në lëvizje në disa zona.
“Njëra do jetë në hyrjen e parkut të Dajtit, një skuadër do jetë në zonën e Farkës dhe Petrelës, ndërsa një skuadër tjetër do jetë në zonën e Pezës”. Për të parandaluar rastet e zjarreve, forcat zjarrfikëse u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin djegien e mbeturinave bujqësore, në të kundërt to përballen me ligjin.