Mashtrime me sigurimet e makinave, arrestohet në Durrës 21-vjeçari nga Dibra
Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Siguracioni” për goditjen e falsifikimit të siguracionit të automjeteve duke arrestuar një 21-vjeçar nga Dibra. Finalizimi i operacionit ka ardhur pas një hetimi dymujor mbi bazën e denoncimeve të shumta të qytetarëve, që kishin rënë pre e mashtrimit në Portin e Barit, Itali.
Plot 13 raste të mashtrimit me Policë Sigurimi për automjete të qytetarëve që udhëtonin nga Italia për në Shqipëri janë dokumentuar.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, pas denoncimeve të shumta të qytetarëve që udhëtonin nga Bari, Itali për në Shqipëri me automjete dhe kishin prerë siguracion për automjetet e tyre në portin e Barit, të cilat pas kontrollit nga Policia kishin rezultuar të falsifikuara, referoi materialet në Prokurori dhe regjistroi procedimin penal për zbardhjen e këtyre rasteve.
Pas një hetimi dymujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës finalizoi operacionin policor “Siguracioni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit F. B., 21 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale “Falsifikimi i letrave me vlerë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas gjatë muajit korrik 2019, në Portin e Barit, Itali, ka falsifikuar 13 Siguracione (TPL), në emër të shoqërive të ndryshme sigurimi, për automjetet që hyjnë në Shqipëri.
Ndërkohë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.