Mashtruan Presidentin e “Besëlidhjes”, Ylli Ujka, se janë euro për Pjerin Ndreun! Arrestohen nga policia
Ndodh edhe kështu! Të mashtrojnë duke përdorur emrin e kryetarit të Bashkisë. Dhe jo në shuma të vogla, por të konsiderueshme në euro.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjeri Ndreu ka reaguar pas zbulimit të skemës së mashtrimit, ku emri i tij përdor për të zhvatur qytetarët. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Ndreu thotë se rastin e zbuluan pak ditë më parë dhe u bën thirrje qytetarëve, që nëse janë mashtruar nga autorët, të denoncojnë në polici.
“Një mik, biznesmen nga Lezha, ka rënë pre e një mashtrimi, ku disa shtetas, të panjohur për mua, kanë përdorur emrin tim për t’i marrë para! Para ca ditësh ne e kapëm situatën, denoncuam dhe u bë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policisë Lezhë. Nëse ka persona të tjerë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, ju lutem të denonconi në polici”, shkruan kryebashkiaku.
Shkëlqim Domi, Saimir Sallaku dhe Shefik Kurti përdorën emrin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, duke i marrë një shumë të konsiderueshme parash biznesmenit Ylli Ukja, që njëkohësisht është presidenti i klubit të basketbollit “Besëlidhja”( basketboll).
Domi dhe Sallaku u vunë në pranga, ndërsa Kurti u shpall në kërkim shkruan tpz.al
Ylli Ujka është nga Lezha dhe ka punuar prej vitesh në Itali, ku njihet si një nga biznesmenët e njohur në Itali në disa fusha. Së fundmi ai është kthyer në Shqipëri me një mentalitet pune italiane.
Por që ka renë viktimë e mashtrimit shqiptar.
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me dy personat e arrestuar për mashtrim në Lezhë. Mësohet se Shkëlqim Domi dhe Saimir Sallaki, janë paraqitur në emër të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i marrë shumën e parave biznesmenit Ylli Ujkaj, i cili është dhe president i ekipit të basketbollit ‘Besëlidhja’.
Kujtojmë që këta dy persona në bashkëpunim me shtetasin Shefik Kurti, më datë 14.07.2024, kanë përfituar 15 000 euro, nga administratori i një operatori ekonomik, duke komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.
Gjithashtu, këta shtetas kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro, nga një tjetër person, me anë të kësaj skeme mashtrimi.
Në foto: Ylli Ujka, President i “Besëlidhjes”
Njoftimi zyrtar nga Policia
DVP Lezhë/Finalizohet në bashkëpunim me DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Imposter”, për zbardhjen e një skeme mashtrimi për përfitimin e parave nga operatorët ekonomikë.
Mashtronin shtetas të ndryshëm, nëpërmjet një aplikacioni, duke komunikuar me ta, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore, vihen në pranga 2 shtetas, punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin marrë një shumë parash me anë të mashtrimit nëpërmjet një aplikacioni, kanë nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Imposter”, u ndaluan shtetasit:
Sh. D., 35 vjeç dhe S. S., 37 vjeç, të dy banues në Shijak.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi Sh. K., 63 vjeç, banues në Itali.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Sh. D. dhe S. S., në bashkëpunim me shtetasin Sh. K., më datë 14.07.2024, kanë përfituar 15 000 euro, nga administratori i një operatori ekonomik, duke komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore. Më datë 17.07.2024, ata kanë tentuar të përfitojnë një tjetër shumë të madhe parash, nga ky shtetas, me anë të së njëjtës skemë.
Në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, vijojnë hetimet për zbardhjen e një rasti të ndodhur një Tiranë, ku këta shtetas kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro, nga një shtetas, me anë të kësaj skeme mashtrimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.