Maskat bëjnë kërdinë në Elbasan, grabisin të gjitha paratë në kasën e biznesit
Një tjetër grabitje është regjistruar në qytetin e Elbasanit, ku pre ka rënë një biznes me artikuj të ndryshëm.
Raportohet se ngjarja ka ndodhur një natë më parë në rrugën “Sulë Papri” të qytetit, ndërsa grabitja është konstatuar nga pronari mëngjesin e sotëm, në momentin ka hapur dyqanin.
Mësohet se persona të paidentifikuar kanë marrë nga arka e dyqanit rreth 500 mijë lekë që gjendeshin në kasë.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kujtojmë këtu që jo më larg se pak orë më parë një tjetër grabitje u regjistrua në qytetin e Durrësit, ku një person, nën kërcënimin e një arme, mundi të vjedhë një shumë parash prej 1 milion lekësh nga një pikë kredidhënieje.
Vlen të theksohet se kohët e fundit është rritur ndjeshëm numri i grabitjeve, duke u shndërruar në një fenomen tepër shqetësues për qytetarët.
Ajo që është më e rëndë është fakti se një pjesë e vogël e këtyre grabitjeve janë zbardhur nga policia dhe shumë pak autorë të këtyre krimeve janë vënë në pranga.