Maskat kudo, qytetarët të ndarë në opinione dhe mundësi

Nga kjo e enjte çdo person që kapet pa maskë në rrugë, do të gjobitet. Dhe si për çdo vendim që ka të bëjë me përballimin e pandemisë nga Covid-19, edhe vendosja e maskave jashtë shtëpisë ka ndeshur në qytetarë që janë pro dhe kundër këtij vendimi, të tjerë shprehen se nuk kanë mundësi të blejnë, ndërsa disa nuk e mbajnë dot për shkak të sëmundjeve që kanë. Në Durrës, qytetarët janë të ndarë nëse duhet mbajtur ose jo maska në ambiente të hapura. Madje, nuk mungojnë as zërat se po shkelen të drejtat e njeriut.

Kurse në Vlorë moshat e treta dhe qytetarët mendojnë se maska duhet mbajtur pasi mbron shëndetin e tyre dhe të tjerëve që i rrethon dhe jo për shkak të gjobës. Edhe në Kukës, qytetarët janë dakord me mbajtjen e maskës në ambiente të hapura. Në Korçë, shtresat e varfra shprehen se nuk kanë mundësi ekonomike që të blejnë çdo ditë maska, duke apeluar që për to shteti të mundësojë dhënien e maskave falas.

Ndryshe ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku policia ka këshilluar me qindra qytetarë që të vendosin maskat duke i paralajmëruar që në rast përsëritje do të penalizohen me gjoba. Në Elbasan qytetarët në shumicë kanë vendosur maskat, por nuk mungonin në rrugë as ata qytetarët që nuk e kishin vendosur fare maskën, duke bërë diferencën me shumicën e njerëzve.

SHKARKO APP