Maskat terror, banorët: Do të armatosemi, policia bën pazare

Tre netë më parë në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bulqizës, u regjistrua një ngjarje e cila vetëm sot u bë publike. Persona të maskuar dhe të armatosur hynë në një lokal të fshatit ku gjendeshin rreth 20 persona, ndërsa kanë dhunuar rëndë një 25-vjeçar. Gëzim Miftari, banor i fshatit thotë se mes personave që panë terror ka qenë edhe djali i tij në lokal.

“Ka qenë një makinë që i ka prit autorët. Ata kanë bërë maskrën këtu dhe më pas kanë ikur. Kanë bërë terror, nuk është parë në 30 vitet e fundit”. Njëri prej tyre ka bërë roje tek dera ndërsa 3 të tjerët kanë hyrë brenda duke kërkuar që të gjithë të zvarriten në tokë. Ata që kanë qenë brenda kanë dhunuar rëndë një djalë 25-vjeç me inicialet F.A duke e goditur me qytën e armës. Pasi e kanë dhunuar ata janë larguar ndërsa personat e gjendur aty kanë transportuar të riun në spitalin e Dibrës në gjendje të rëndë shëndetësore. Banorët e fshatit Gjoricë e Poshtme, kërkojnë nga shteti që autorët të arrestohen pasi kanë ushtruar një terror të madh, duke frikësuar të gjithë fshatin.

“Unë i bëj thirrje Edi Ramës, ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, ministrit të rendit, nëse nuk veprojnë ne do të marrin masa dhe do të armatosemi. Nuk do të lejojmë as policinë e shtetit. Nëse nuk gjenden autorët do bëjmë të pamundur që të armatoset gjithë fshati. Kur të vijë policia ne do të jemi të armatosur dhe do të vrasim edhe policët. Policia mund të kishte arrestuar me kohë autorët, por janë bërë pazare. Ne kemi humbur besimin tek policia”.

SHKARKO APP