MASR shpall thirrjen për anëtarë të bordeve të rekomandimit të literaturës artistike dhe shkencore për bibliotekat e shkollave
Përmes një postimi në rrjetin e saj social, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi njofton se nga ana e ministrisë që ajo drejton është shpallur thirrja për anëtarë të bordeve të rekomandimit të literaturës artistike dhe shkencore për bibliotekat e shkollave në arsimin parauniversitar.
Qëllimi i kësaj thirrjeje, sipas Ministres Kushi, është pasurimi i bibliotekave të shkollave me libra të rinj, si dhe nxitja e leximit tek nxënësit tanë.
Ministrja Kushi shprehet se:
“Këto borde do të shqyrtojnë, vlerësojnë dhe përzgjedhin librat më të përshtatshëm mbi bazën e kriterit të vlerave të tyre formuese dhe edukative, në përshtatje me grupmoshat, kurrikulën shkollore, si dhe nevojat e kualifikimit të mësuesve”.
Anëtarët e dy bordeve do të përzgjidhen nga aplikantë që janë: pedagogë të gjuhës shqipe dhe të letërsisë, të gjuhëve të huaja, të shkencave sociale, të shkencave të natyrës dhe të arteve, kritikë letrarë, shkrimtarë e poetë për fëmijë dhe për të rritur, studiues të letërsisë shqipe e botërore, përkthyes, gjuhëtarë, historianë, didaktë, specialistë arsimi dhe mësues të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë. Ndërkohë, afati i aplikimit është deri më datë 6 korrik 2021″
Më poshtë, thirrja publike me kriteret dhe afatet për anëtarë të këtyre bordeve:
https://arsimi.gov.al/wp-content/uploads/2021/06/Thirrje-për-anëtarë-të-Bordeve-1.pdf