Mat/ Arrestohet 23-vjeçari dhe shpallet në kërkim vëllai i tij, ata shisnin drogë afër shkollave

Një 23-vjeçar është arrestuar nga policia e Burrelit, si dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij 22-vjeçar, pasi akuzohen se shisnin doza kanabsi, në afërsi të shkollave dhe në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit. 23-vjeçari i identifikuar si Jurxhini Sada, pasi ka parë uniformat blu ka hedhur nga dritarja e automjetit tip “Benz”, të cilin po drejtonte, një sasi kanabisi dhe një dorezë hekuri, dhe ka tentuar të largohej por pa sukses.

Gjatë kontrolleve në banesën e dy vëllezërve policia ka gjetur një tjetër sasi lënde narkotike kanabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje (gjithsesj 174 doza), 47 fara cannabisi, 1 radio marrëse-dhënëse, 1 rrip multifunksional, 1 jelek si të Policisë, si dhe 2 shkopinj metalik, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 krëhër kallashnikovi me 25 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provë materiale së bashku me dozat dhe me përforcuesin e grushtit, që u gjetën në momentin e ndalimit, celularin e të arrestuarit dhe automjetin tip “Benz”, që përdorej për shpërndarjen e dozave të cannabisit.

Policia deklaron se nga hetimet e thelluara ka rezultuar 23-vjeçari kryente veprimtarinë kriminale në bashkëpunim me vëllain e tij, Andi Sada, 22 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. “Nga hetimet e thelluara ka rezultuar se shtetasi J. S. e kryente veprimtarinë kriminale të shitjes së dozave të lëndës narkotike cannabis sativa, së bashku më vëllanë e tij, shtetasin A. S., 22 vjeç. Vijon puna puna intensive për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen e 22-vjeçarit, përpara përgjegjësisë penale”,-njofton policia.

SHKARKO APP