Matura Shtetërore/Shahini: Ka provime por nëse izolohemi deri në korrik…
Mësimi online do të vijojë. Të paktën kështu shprehet Ministrja e Arsimit, Besa Shahini edhe pse ka mijëra nxënës që nuk kanë mundësi për të marrë këtë shërbim si online apo përmes RTSH-së. ”Do të vazhdojmë të xhirojmë dhe transmetojmë leksione të arsimit parauniversitar në RTSH, si dhe mësuesit përmes platformave të ndryshme po rrinë në kontakt me nxënësit e tyre dhe po zhvillojnë për aq sa është e mundur mësimin në kushte shtëpie”, fillon mesazhin e saj në komunikimin e radhës ministrja, ndërsa u jep përgjigje në vijim edhe disa prej pyetjeve të ardhura. Matura Shtetërore është shqetësimi i të rinjëve që ëndërrojnë Universitetin dhe për maturantë, Shahini thotë se e vetmja arsye që do të bënte të mos mbaheshin provimet është nëse qëndrojmë të izoluar deri në qershor apo korrik.
Pse nuk po unifikohen platformat që po përdorin mësuesit për të komunikuar me nxënësit e tyre?
“Kjo është një ide e mirë dhe po e shqyrtojmë mënyrën më të mirë që ta zbatojmë në nivel shkolle. Pra, t’i nxisim drejtorët e shkollave që të punojnë me të gjithë mësuesit dhe t’i orientojnë ata drejt një platforme të vetme, në mënyrë që një nxënës në klasë të shtatë, i cili punon me disa mësues të lëndëve të ndryshme, mos të ketë nevojë të kalojë nga një platformë tek tjetra, por të punojë me një platformë të vetme. Kjo nuk do të thotë që do të përjashtojmë punën përmes rrjeteve sociale. Whatsapp-i është një platformë, e cila përdoret nga të gjithë mësuesit. Platformat e tjera si Google Classroom psh. përdoret nga një pjesë e mësuesve dhe nxënësve apo prindërit e tyre. Pra, nëse duam gjithëpërfshirje dhe të sigurohemi që të gjithë mësuesit dhe të gjithë nxënësit janë në komunikim me njëri-tjetrin, duhet të lejojmë edhe rrjetet sociale, konkretisht whatsapp-in.
Provimet e maturës?
Unë besoj se tashmë jemi qartësuar të gjithë se provimet do të mbahen. E vetmja arsye që do të bënte të mos mbaheshin provimet është nëse qëndrojmë të izoluar deri në qershor apo korrik. Kjo nuk e besoj se do të ndodhë, por edhe nëse ndodh, atëherë do të marrim një vendim tjetër. Deri atëherë, duhet të llogarisim se provimet kombëtare do të bëhen. Ne thjesht do të sigurohemi që temat të cilat nuk jemi të sigurtë se janë zhvilluar aq sa duhet në kushte shtëpie të mos jenë të vendosura në formë pyetjesh në testin kombëtar. Maturantët besoj se po e kalojnë këtë kohë duke mësuar, duke thelluar njohuritë e tyre në temat që do të pyeten për provimet kombëtare, duke ushtruar pyetjet e ndryshme që janë në dispozicion tek website-i i Qendrës që Shërbimeve Arsimore, pyetje nga provimet e mëparshme të maturës, të cilat japin një orientim se çfarë lloj pyetjesh mund të kenë në provimin e maturës.