Matura Shtetërore/Vrapi: Testi korrigjohet në mënyrë dixhitale
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, përmes një komunikimi në rrjete sociale, ka sqaruar se të gjithë maturantët që duan të studiojnë jashtë më 1 korrik do të kenë në dorë diplomën e tyre dhe më pas do të vijohet me shpërndarjen e diplomave për maturantët e tjerë.
Printimi i diplomave do të bëhet me dy faza, sqaroi Vrapi duke thënë se fillimisht do të procedohet me maturantët që duan të studiojnë jashtë dhe më pas me printimin e diplomave për maturantët e tjerë. “Bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar. Më datë 1 korrik, maturantët të cilët do të studiojnë jashtë, do të kenë në dorë diplomën e Maturës Shtetërore”. Nga ana tjetër, drejtoresha e QSHA, Rezana Vrapi tha se korrigjimet e testeve të maturantëve do të jetë në mënyrë dixhitale me skaner pasi testi do të përmbajë 60 pyetje me alternativa dhe kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, ndërsa ka siguruar maturantët se kjo mënyrë është shumë e saktë.
”Nxënësit pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procedohet përmes skanerëve. Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur”. Nëse merrni celular me vete në provimin e Maturës Shtetërore ose komunikoni me shokët mund të penalizoheni për një vit për të mos iu nënshtruar më testit deri në qershorin e ardhshëm. Kështu thotë drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi teksa foli për administrimin e provimeve të maturës shtetërore.
“Në maturën shtetërore është një test i standartizuar që do të thotë se të gjithë maturantët i nënshtrohen të njëjtave rregullave dhe procedurave. Patjetër që ka rregulla të administrimit që lidhen me mënyrën se si nxnënësit hyjnë në mjedisin e provimit që lidhen me mënyrën si ulen dhe mënyrën si monitorohen. Rregullat më të forta kanë të bëjnë veçanërisht që kanë të bëjnë me besueshmërinë e të gjithë procesit, pra mos-marrjen e celularëve dhe mos komunikimin. Çdo maturant, ditën e provimit të mos ketë celular me vete, të mos komunikojë në mjdesi në të kundërt mund të penalizohet që të mos ketë të drejtë për një vit rresht që ta japë këtë provim”.
Pyetjet në maturën shtetërore do të jenë vetëm me alternativa ndërkohë që testi do të zgjasë dy orë. “Testi i maturës shtetërore do të bazohet vetëm në pyetje me alternativa. Kohëzgjatja e tij do të jetë 2 orë dhe në total do të jenë 60 pyetje. Pyetjet me alternativa duan më pak kohë se pyetjet me zhvillim. Janë hequr pyetjet ese në testin e gjuhës së shkruar dhe gjuhës së huaj. Pyetjet janë të gjitha me alternativa dhe nuk duan zhvillim. Është përllogaritur që koha është e mjaftueshme që maturantët të mbyllin testin brenda afatit të caktuar”.