Maturanët nuk duan ta përsërisin vitin

Mësimi online ka probleme në Shqipëri. Pavarësisht se në 2020-n mësimdhënia online nuk duhet të ishte një praktikë e re, duhet thënë se ka shumë vështirësi. Ata që kanë më shumë vështirësi janë maturantët, pjesa dërrmuese të cilëve thonë se “nuk janë gati për provimet e maturës.

Pjesa më e madhe e maturantëve shfaqën të njëjtën problematikë: Tema mësimore që nuk i kuptojnë mirë, vështirësi teknike (probleme me internetin dhe platformat e mësimdhënies online), ngarkesë mësimore, paqartësi në zhvillimin e orës mësimore (herë në Google Classroom, herë përmes leksioneve të gatshme).

Situata nuk është kaq e errët sa duket, pasi ka edhe të tjerë që mendojnë se “matura për maturantët mbyllet që në janar” dhe pjesa tjetër “është vetëm përsëritje dhe konsultim”. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, njoftoi se temat mësimore të shpjeguara pas pandemisë nuk do të përfshihen në provim.

Përpos mospërfshirjes në provime të temave të shpjeguara online, një tjetër arsye për të mos përsëritur vitin është padyshim edhe kostoja finaciare, duke përfshirë këtu edhe kurset për lëndë të ndryshme. Maturantët shprehen se nuk e kanë “luksin” të fillojnë shkollën nga fillimi, pa marrë parasysh energjinë dhe kohën e shpenzuar për një vit shkollor.

SHKARKO APP