Maturantët në shkolla të tjera për të respektuar distancën, Veliaj: “Kemi nisur dezinfektimin e tyre, kopshtet dhe çerdhet do t’i hapim kur të vendosin mjekët”
Maturantët në shkolla të tjera për të respektuar distancën, Veliaj: “Kemi nisur dezinfektimin e tyre, kopshtet dhe çerdhet do t’i hapim kur të vendosin mjekët”
Bashkia e Tiranës po merr të gjitha masat që rikthimi i maturantëve në shkolla të bëhet brenda kushteve të sigurisë. Në një intervistë për Report tv, kryebashkiaku Veliaj theksoi se për të respektuar distancat fizike të nxënësve maturantë nga njëri-tjetri, do të përdoren edhe shumë shkolla të tjera të arsimit 9-vjeçar. Për këtë, Bashkia ka nisur menjëherë nga puna dhe për dezinfektimin e këtyre shkollave.
“Klasat do të jenë shumë më të vogla, pra me shumë pak vetë në klasa. Me gjasë, një maturë, fjala vjen matura e “Sami Frashërit”, do ta bëjë mësimin në disa shkolla. Pra, me shumë gjasë do të përdorim edhe shkollat 9-vjeçare për maturantët, që të sigurohemi që ky numër të jetë mjaft i ulët. Ka filluar momentalisht dezinfektimi i shkollave, në përgatitje për hapjen vetëm për maturantët. Shkolla pasi dezinfektohet, vuloset. Për sa kohë që nuk hyn njeri dhe nuk ka nga të hyjë virusi, shkolla konsiderohet higjenikisht e pastër dhe do të hapen vetëm në ditën kur maturantët do të jenë aty në klasa shumë më të vogla për të ruajtur distancimin social dhe për të siguruar që ky segment kyç i nxënësve, që janë maturantët, të cilët e kanë vendimtar provimin e maturës, të mos e vuajë koston e kësaj pandemie te karriera e tyre apo në shkollat ku do të shkojnë”, sqaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë foli edhe për mundësinë e hapjes së çerdheve dhe të kopshteve, ku nënvizoi se një vendim i tillë do të merret kur autoritetet përgjegjëse të japin garanci se nuk ka rrezik për të vegjlit. “Unë e di që nuk mungojnë asnjëherë gjithologët; ka nga ata që flasin për pandemi dhe për shëndetin publik pa qenë mjekë, pa bërë një kurs të shëndetit publik. Ajo që unë kam mësuar është se duhet t’i rri zanatit tim. Kjo do të thotë që nëse nuk kemi një rekomandim nga mjekët për të hapur këto institucione, atëherë nuk do t’i hapim. E di që është një vendim i vështirë dhe që nuk u pëlqen shumë njerëzve, por kjo nuk është çështje na pëlqen apo jo. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por jo fakte të ndryshme. Për sa kohë faktet tregojnë se jemi akoma në këtë betejë, pavarësisht se situata po vjen drejt përmirësimit, kjo nuk do të duhet të kontestohet. Ajo që kemi bërë si punëdhënës, pra përveç se jemi pronarët e kopshte, shkollave dhe çerdheve, jemi gjithashtu një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Tiranë dhe në Republikën e Shqipërisë, është që një nga dy prindërit që ka fëmijë të vegjël të rrijë në shtëpi dhe të punojë nga shtëpia. Ne do ta vazhdojmë këtë regjim, derisa mjekët të na japin ok për hapjen e kopshteve dhe shkollave; pra përtej maturës, do të duhet t’i respektojmë ata dhe të mos dëgjojmë çdo lloj gjithollogu që na jep shkencën e vet për gjëra që nuk është ekspert”, tha Veliaj.