Mazniku: Administrata “Basha”, me pasoja për Bashkinë e Tiranës

 

“Në vitin 2015, Bashkia kishte planifikuar 7 herë më shumë investime se buxheti vjetor i Bashkisë në investime, pra ishin planifikuar që të shpenzoheshin 70 lekë dhe në fakt kishin në dispozicion për të shpenzuar vetëm 10 lekë. Sipas këtij koncepti do duheshin 7 vjet që Bashkia të kishte mundësi që të paguante shpenzime të cilat i kishte marrë përsipër në 2015”.

Kështu u shpreh sot nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, teksa njësia administrative e Farkës ka qenë ndalesa e dytë e turit të kësaj bashkie për konsultimin me banorët të projekt-buxhetit të vitit 2016.

Duke pohuar në këtë mënyrë se projekt-buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2016 do të ndikohet nga situata e rëndë financiare që është trashëguar nga administrata e drejtuar nga demokratët.

Dhe duke u përqendruar te projektbuxheti konkret i Farkës, Mazniku bëri të ditur se ai i ka dhënë rëndësi projekteve me impakt direkt në zhvillimin e Bashkisë së Tiranës. Një prej tyre është projekti i rigjenerimit urban i pazarit të Ri dhe sheshit “Avni Rustemi”.

 Një tjetër projekt i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2015 të Bashkisë, është edhe ai i Parkut Qendror të Tiranës, i cili zhvillon një zonë të qytetit që për shumë kohë është lënë pas dore.

“Hapësira nga Stacioni i Trenit, e cila shkonte në drejtim të lumit të Tiranës e më pas kthehej në të majtë është zona në të cilën ka filluar investimi për zgjerimin e bulevardit, zgjatimin e bulevardit me 2 km të tjerë dhe në atë territor do të krijohet edhe parku i ri qendror i Tiranës, duke i dhënë një hapësirë të madhe qytetit, me shumë funksione rekreative por edhe me një “mushkëri” tjetër që i shtohet qytetit në krahun tjetër si dhe një zonë e re zhvillimi moderne për qytetin e cila do i shtojë jo vetëm ekonomisë së qytetit por edhe konceptit se si është organizuar qyteti një funksion të madh e të rëndësishëm”, shtoi Mazniku.

SHKARKO APP