Mazniku: Stafi i bashkisë, në krye të detyrës për riparimin e dëmeve nga reshjet

Ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës janë angazhuar sot gjatë gjithë ditës për të riparuar sa më shpejt të gjitha dëmet e shkaktuara dje, pas rreshjeve të dendura të shiut në tre ditët e fundit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ka inspektuar gjatë pasdites së sotme punën që forcat e ndërmarrjeve të rrugëve po bënin në zonën e Shkozës, ku si pasojë e rrëshqitjes së dherave, një lagje ishte bllokuar dhe nuk kishte kontakt me pjesën tjetër të qytetit.

“Pas përmirësimit të motit, ditën e sotme i gjithë stafi i bashkisë dhe trupa e ndërmarrjeve të varësisë së bashkisë, ka qenë e angazhuar në mënyrë maksimale për riparimin e dëmeve të krijuara nga reshjet e djeshme”, u shpreh Mazniku. Nënkryetari i bashkisë theksoi se situata më problematike paraqitet në zonat periferike të qytetit, sidomos në zonat rurale ku ka patur bllokime të rrugëve dhe dëmtim të urave. “Zona të tilla kemi disa, kryesisht në ish-komunat, njësitë administrative që i janë bashkuar Tiranës. Deri ditën e nesërme të gjitha rrugët do të hapen, për t’i ridhënë mundësi qytetarëve që të lëvizin lirisht në të gjitha akset rrugore”,  tha Mazniku.

Ai bëri të ditur gjithashtu, se si pasojë e masave të marra nga Bashkia, pavarësisht se këtë javë ka patur më shumë reshje se ato të dy muajve më parë, probleme ishin më të pakta. “Sot kur mund të bëjmë një bilanc të situatës, megjithëse dje kishim rreth 20% më shumë reshje se sa para dy muajsh, në qytetin e Tiranës kemi pasur dy apo tre herë më pak probleme. Kjo ka ardhur si pasojë e masave të marra gjatë këtyre dy muajve në hapjen e kanalizimeve dhe pikave kulluese të ujit”, theksoi nënkryetari i Bashkisë.

Interesimit të mediave se nëse rrëshqitjet e dherave kanë shkaktuar dëme apo thjesht bllokime të akseve dhe sa do të vazhdojë plani i masave, Mazniku iu përgjigj: “Kryesisht kemi të bëjmë me bllokim të akseve lëvizëse. Kemi probleme në dy ose tre ura në komunat Zall-Bastar, Zall-Herr dhe në disa zona të banuara. Familjet janë larguar nga zonat ku ka pasur rrëshqitje pranë shtëpive dhe ne do të vazhdojmë të gjejmë mënyrën se si t’i ndihmojmë ato me heqjen e dheut apo me masat e duhura që duhen marrë nga ana inxhinierike për të pasur mundësi që njerëzit të mos rrezikohen”.

Në zonën e Shkozës, rreth 100 familje ishin bllokuar nga rëniet e reshjeve të shiut dhe rrëshqitja e dheut, ku Bashkia e Tiranës ndërhyri për të bërë të mundur rikthimin e gjendjes në normalitet. Më shumë se 1200 punonjës dhe afro 80 mjete motorike, si eskavator, fadroma, kanë qenë të pranishme në terren për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe zonave më të prekura.

SHKARKO APP