Mbahet Festivali i parë i Këngës Qytetare Lezhjane

 

Prezantohen 14 këngë me tekste dhe muzikë të autorëve lezhjanë, të interpretuara mjeshtërisht nga artistë të njohur të skenës

Nga JAK  RROZHANI

Është mbajtur për herë të parë në qytetin e Lezhës, në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti, Festivali i parë i Këngës qytetare Lezhjane, me inicimin dhe drejtimin e drejtoreshës së Pallatit të Kulturës së qytetit të Lezhës Albana Përvathi. Aktiviteti ishte një risi që solli krijime dhe interpretime të reja si nga artistë me përvojë deri tek më të rinjtë dhe fëmijët. Një gërshetim brezash dhe moshash, duke bërë që me interpretimet e tyre brilante të duartrokiten nga artdashësit lezhjanë. Jeta kulturore artistike nuk ka njohur ndërprerje në Lezhë, ku Lezha mund të quhet simbol i një jete të begatë, një truall pjellor dhe një fidanishte e pandërprerë e talenteve në fusha të ndryshme si: në poezi, prozë, pikturë, këngë, valle, instrumente popullore. Që në zanafillë të thjeshta për të ardhmen, më pas në një rritje graduale e më të organizuar me pjesë të debutimeve, fjalës artistike, me këngëtarë pasionantë dhe instrumentistë virtuozë përfshirë, edhe ata të veglave e orkestrinave popullore. Bashkë me muzikantët, kompozitorët dhe udhëheqësit artistik profesionistë në vite, duke u grupuar u rritën cilësisht në interpretim dhe sollën krijime të reja me vlerë, duke lëshuar rrënjë e pastaj me radhë u krijua një grup me këngëtarë, valltarë, instrumentistë, humoristë. Premierat e para të estradës e cila do të krijonte traditën e nuk do të kalonte pa lënë gjurmët e veta në vazhdimin e traditës kulturoro-artistike, sidomos me debutimin me sukses të Ansamblit "Çiftelia" me trofe në festivale folklorike të Gjirokastrës dhe ngjitjes në skenë të artistëve dhe humoristëve, që shkëlqyen me talentin dhe interpretimin brilant, jo vetëm në skenën e pallatit të kulturës Lezhë, por edhe në skenat brenda e jashtë vendit. Duke fituar trofe e tituj nderi dhe i tillë ishte edhe zhvillimi i festivalit të parë të këngës qytetare lezhjane, me drejtore të këtij programi, sopranon Albana Përvathi. Si vazhdim i traditës në gjallërimin  e jetës kulturoro-artistike të këtij qyteti të lashtë  e të ri, me histori e kulturë të lashtë e të re djepi i krijimtarisë dhe i talenteve, që kulmoi me interpretimin brilant të këngëve qytetare, me tekste e muzikë të autorëve vendas dhe të interpretimit në skenë jo vetëm nga këngëtarë me përvojë lezhjanë, por edhe ata më të rinj. Si simbiozë brezash shoqëruar nga orkestrina profesioniste e pallatit të kulturës. Bukurinë këtij festivali që solli risi në këngën qytetare lezhjane, duke shpalosur vlerat më të mira, ia shtoi pjesëmarrja dhe debutimi prestigjioz i artistëve më në zë të skenës. Këngëtarët e mirënjohur: Myfarete Laze, Bashkim Alibali dhe Roberta Kaçaj dhe humoristi i mirënjohur Zef Deda, me një interpretim brilant dhe që u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku artdashës. Në këtë festival u prezantuan 14 këngë me tekste dhe muzikë të autorëve lezhjanë, të interpretuara mjeshtërisht nga këngëtare dhe këngëtarë me përvojë, por edhe nga të rinjtë premtues në të ardhmen, shoqëruar me mjeshtëri nga orkestrina e këtij pallati, ku këngëtarët u vlerësuan edhe me certifikatë mirënjohjeje me interpretimin dinjitoz nga një juri prestigjioze, me interpretimin profesional edhe të grupit të valleve "Eagle Dance" të pallatit të kulturës Lezhë.                             

SHKARKO APP