“Mbaje mend, do të vijë radha”, cilin kryebashkiak paralajmëron Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, se do t’o vijë kohë për t’u hetuar.

Në një takim me mbështetësit në Lezhë, Berisha tha se Ndreu mandatin e ka mbi krimin dhe se ka shpërndarë para nëpër fshatra një natë para votimit.

“Nuk ka më të lig se ky Pjerin që keni këtu, por Edi Rama është shumë herë më i lig. Ky do ikë se qëndron mbi krimin, por Edi Rama është më e keqja që ka pasur ky vend që nga koha e Enver Hoxhës gjer më sot. Ndaj dhe ne nuk dorëzohemi dhe do vazhdojmë betejën tonë gjer në fitoren përfundimtare mbi të.

Meqë jam këtu, i them këtij Pjerinit se atë mandat e ke mbi krimin. E ke mbi bandat që i ke shpërndarë natën e para votimit nëpër fshatra e zona. E kemi të filmuar, të dokumentuar të gjitha. I kemi ata vrasës që sulmonin Salvator Kaçin me porosi të Edi Ramës.

I ke mbi licencat që ke dhënë për parcelat e drogës dhe je tipik kryetari të cilit krimi i shndërrohet në votë dhe vota në krim. Dhe do të vijë radha. Pjerin do të vijë radha, mbaje mend këtë që do të them. Se edhe ai këtu është një Edi Ramë në miniaturë. Por Edi Rama, pas Enver Hoxhës, kombi nuk ka pasur ndonjëherë. Jo se e them unë, por për të zezat që i bën këtij vendi”, tha Berisha.

SHKARKO APP