Mbante armë gjahu pa leje në banesë, procedohet 29-vjeçari

Një 29-vjeçar është proceduar penalisht nga policia në Dibër, pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Blutë bëjnë me dije se gjatë kontrollit në banesën e tij në Muhurr, është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu teke.

“Në vijim të kontrolleve të imtësishme për kapjen e personave të shpallur në kërkim apo të atyre që mbajnë armë zjarri, kontrolle të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit policor “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M.L., 29 vjeç, banues në njësinë Administrative Muhurr. Gjatë kontrollit në banesën e 29-vjeçarit, i’u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke, që ky shtetas e mbante pa leje”,- njofton Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP