Mbërriti anija e parë italiane me emigrantë në portin e Shëngjinit

Një anije italiane me grupin e parë të emigrantëve arriti në portin e Shëngjinit mëngjesin e së mërkurës, duke shënuar fillimin e zbatimit të një plani të diskutueshëm për të përpunuar mijëra kërkesa për strehim jashtë Italisë.

Qeveria italiane ka ngritur dy qendra pritëse në Shqipëri, marrëveshja e parë e këtij lloji, sipas të cilës një vend i Bashkimit Evropian i dërgon emigrantët në një vend që nuk është pjesë e bllokut, në përpjekje për të penguar emigracionin e paligjshëm.

Anija Libra e marinës ushtarake italiane, hyri në portin e Shëngjinit pak para orës 08:00 të mëngjesit duke u ankoruar 30 minuta më pas. Të 16 emigrantët meshkuj që ndodheshin në bordin e saj, u shpëtuan në det të dielën. Dhjetë prej tyre janë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, vende që konsiderohen si të sigurta nga Italia.

Rreth orës 10:00, me grupe nga katër, migrantët zbritën nga anija të shoqëruar nga forcat të policisë italiane. Ata përshkruan me këmbë, distancën e shkurtër prej disa dhjetra metra nga hyrja e qendrës së ngritur nga autoritetet italiane në brendësi të portit të Shëngjinit.

Këtu ata iu nënshtruan menjëherë kontrolleve mjekësore, ndërsa u janë ofruar dhe veshje e ushqim. Më pas do të nisin procedurat e nevojshme të identifikimit. Brenda ditës, do të transferohen më pas në brendësi të vendit në Gjadër, rreth 20 kilometra larg, në një zonë që dikur ishte pjesë e një ish aeroporti të ushtrisë shqiptare, e cila është transformuar në një qendër të madhe pritje që do të funksionojë nën jurisdiksionin Italian.

Sipas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm në një kohë në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3000 veta. Për momentin kampi i Gjadrit mund të presë deri në 400 migrantë, ndërsa zgjerimi i kapaciteteve do të vijojë në një fazë të dytë.

Brenda kampit funksionojnë tre zona. E para, dhe më e madhja, është qendra ku migrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për kërkesën për azil. Në një tjetër zonë, me disa dhjetra shtretër, është destinuar për ata të cilëve u është refuzuar kërkesa dhe do të duhet të riatdhesohen. Ndërsa një tjetër hapësirë është transformuar në një burg të vogël, për rastët e mirantëve që mund të kryejnë krime brenda kampit.

Italia ka thënë se vetëm burrat “jo të cenueshëm” që vijnë nga vendet e klasifikuara si të sigurta, do të dërgohen në Shqipëri.

Aktualisht janë 21 vende të tilla në listën italiane. Vitin e kaluar, 56,588 emigrantë mbërritën në Itali nga vetëm katër prej këtyre vendeve: Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia. Shumica ikin shpejt nga qendrat e pritjes dhe shkojnë në Evropën veriore më të pasur.

Migrantët, qendra në portin e Shëngjinit

Sipas marrëveshjes deri në 36 mijë emigrantë mund të dërgohen për përpunim në territorin shqiptar çdo vit nga Italia, për sa kohë që ata vijnë nga lista e vendeve të sigurta. Për emigrantët nga këto vende ka kufizime të ashpra për përfitimin e azilit.

Qendrat do të strehojnë vetëm burra të rritur, ndërsa personat e cenueshëm si gratë, fëmijët, të moshuarit dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës, do të strehohen në Itali. Familjet nuk do të ndahen.

Marrëveshja pesëvjeçare e nënshkruar nëntorin e kaluar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, është përshëndetur nga disa shtete që, si Italia, përballen me një barrë të rëndë refugjatësh.

Italia do të ngrejë në Shqipëri dy qendra për pritjen e migrantëve

Marrëveshja u mbështet nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një shembull i “të menduarit jashtë kutisë” në trajtimin e çështjes së migrimit në Bashkimin Evropian. Por ajo është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si një precedent i rrezikshëm.

Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se asnjë vend tjetër nuk do të mund të ketë qendra të tilla në Shqipëri. Ai tha se Shqipëria është mirënjohëse për dhjetëra mijëra shqiptarë që u mirëpritën nga Italia pas rënies së komunizmit në vitin 1991, ose mbështetjen e ofruar nga Roma gjatë trazirave ekonomike të vitit 1997 dhe pas tërmetit të vitit 2019.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press

SHKARKO APP