Mbesa e Konicës vjen nga Siria: Dua pasaportë shqiptare

 

Mona Ajlani është sot 60 vjeçe. Në kokë mban një shami të bardhë, poshtë së cilës qëndrojnë dy sy të ftohtë, të akullt, të ujtë, bojëqiell të pastër. Me një palë pantallona e xhaketë të zezë që i mbulojnë trupin, ajo ka lënë Damaskun e shkrumbuar nga bombardimet, ka kaluar nëpër Libi, mandej në Turqi derisa ka shkelur tokën shqiptare, falë një vize 90-ditore që iu dha nga ambasada shqiptare në Egjipt, pasi një banor i Vorës paraqiti për të një garanci.

I ka ende të freskëta kujtimet e luftës, shtëpinë e bombarduar në një zonë të kthyer ushtarake, imazhet e fundit të së motrës që u nda nga jeta, rrugët e shkreta, qytetin fantazmë që kontrollohet nga policia e shtëpinë nga e cila e nxorën me përdhunë vetëm me rrobat e trupit. Atje, veç varreve të babait, nënës, motrës e tezes, nuk e pret asgjë.

Kur të gjithë sirianët e tjerë lanë vendin e u nisën drejt Gjermanisë, Mona Ajlani udhëtoi drejt Tiranës. “Jam gjysmë shqiptare. Ime më ishte Merushe Konica, vajza e Mehmet Konicës. Vendosa të vij këtu pasi flas shqip dhe ndjehem shqiptare. Nuk do ndihesha askund njësoj”, rrëfen ajo për “Gazeta Shqiptare”.

Në çantën që mban në krah ka disa dokumente të vulosura nga Ministria e Jashtme siriane, siç është çertifikata familjare. Për të marrë ato vula i është dashur të udhëtojë mes “raketave” që çanin qiellin, por pa to, dokumentet nuk do të kishin vlerë. “Që të vija në Shqipëri, duheshin dokumentet. I kam marrë me vështirësi, por duhej t’i merrja. Atje nuk mund të rrija më: nuk kam as shtëpi e as njeri. Shtëpia ku jetoja unë është bombarduar. Për një muaj kam fjetur ku kam mundur, derisa erdha këtu”.

Gishtërinjtë e gjatë shtrëngojnë fort çantën, ndërsa gjatë rrëfimit të kalvarit të saj, shpesh bojëqiellja zbehet kur sytë i rrëmbushen me lot. Tri vite më parë, në Shqipëria erdhi Randa, kushërira e saj që pasi mori nënshtetësinë shqiptare, jeton në Kosovë. Atëkohë, Mona priti të ikte e motra e sëmurë. Tri vite më pas, ajo është e vetme, në Tiranën që e njohu në vitin 1994. Pasardhëse e Konicës dhe e Toptanëve (e ëma Edibe Zavalani-Konica), Mona rikthehet për të jetuar pjesën tjetër të jetës duke i kërkuar shtetit shqiptar nënshtetësinë, nëse ky shtet, do të mund të gjejë vend, për ata, shqiptarët e harruar të Sirisë.

SHKARKO APP