“Mbeshtetje shqetësimeve të gjimnazistëve. Ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e tyre”

Nga Nora Malaj*

Edhe unë duhet t’ju uroj një vit të bukur dhe shumë suksese në provimet e maturës shtetërore, sepse ju jeni viti i parë i eksperimentit të radhës, që e keni filluar me kurikulën e re, që e keni filluar eksperimentin në vitin e parë, që ende nuk u nxorën rezultate në eksperimentin e vitit të parë, që vazhduat vitin e dytë, që po vazhdoni vitin e tretë dhe ju jeni pjesa më eksperimentale dhe do të uroja shumë që ky eksperiment të dilte me sa më shumë suksese dhe pa shumë dhimbje me ju.
Besoj që takimi i sotëm është shumë i nevojshëm për të na mprehur ne dhe për të parë se cilat janë sfidat e arsimit parauniversitar dhe çfarë ne si deputetë duhet të ndërmarrim urgjentisht, për të shpëtuar të gjithë këtë kakofoni, këtë situatë të paqartë që ju keni, por që edhe mësuesit për fat të keq e kanë, sepse askush nuk e ka kapërdirë këtë që quhet kurikula e re.
Unë e kuptoj shqetësimin tuaj. Nëse do të ishte kohë më përpara, e gjithë rregullorja e provimeve të maturës shtetërore duhej të kishte dalë në fund të muajit tetor dhe në fillim të muajit nëntor, në mënyrë që ju të njiheshit hap pas hapi me rezultatin, duke pasur parasysh procedurat që do të kishit për mbylljen e maturës dhe detyrimet që do t’ju lindnin për hyrjen në universitet.
Jemi përballë dy situatave shumë alarmante. Nga njëra anë universitetet që po operojnë me ligjin e ri që është kthyer në mosfunksionim dhe nga ana tjetër, ju me kurikulën e re dhe ende Ministria e paqartë se si do të orientojë sistemin e arsimit publik dhe jopublik të përgjithshëm dhe profesional. Pra jemi midis dy momenteve ku Ministria e Arsimit është e paqartë.
Ju e mbani mend që vjet u tha që një vit më përpara duhet të punohet me ju,në mënyrë që ta kishit të qartë se cila do të ishte kurikula që do të ishte detyruese, çfarë do të ishin zgjidhjet e kurikulës me zgjedhje dhe si do të operojë që universitetet në detyrimin ligjor që kanë, t’ju krijojë mundësinë e lehtësimit, në mënyrë që kur të bënit zgjedhjen, të bënit edhe zgjidhjen e universiteteve.
Ndaj nga shqetësimet tuaja unë kuptoj që ka tre probleme. E para, kurikula e re ende nuk ka marrë feedback-un për të thënë është e mirë, apo nuk është e mirë. E dyta sistemi i dijes me sistemin e asaj që ju kërkoni, ende është shumë larg dijes me kompetencë apo dijes së përgjithshme. E treta, të gjithë programet që iu kanë mësuar ose ai 20% i vlerësimit të portofolit që lidhet me aftësinë që ju keni marrë në punën në grup që është shumë e rëndësishme për ta vazhduar në vitet në universitet, me aftësinë që ju realisht keni është ende i pamatshëm nga mësuesit për arsye se ata vetë nuk dinë metodologjinë, sepse ndryshe mund ta ketë Tirana, ndryshe mund ta ketë Vlora, ndryshe Shkodra, për arsye se mësuesit nuk janë kualifikuar dhe duke mos u kualifikuar dhe duke marrë dhe ata një informacion të ri, duke marrë dhe ju kurikul të re, duke marrë edhe tekste të reja, të cilat për problematikat që kanë e bëjnë të pamenaxhueshme këtë situatë, bëjnë që të jemi në një turbulencë totale për të mos të pasur të qartë të gjithë procesin e fundit që lidhet me detyrimet që ju keni për provimet e maturës shtetërore.
Mendoj që bashkë me profesor Shezon, Kejdin, Floidën si Grup Parlamentar, por edhe si grupi i edukimit, ne ta shohim me shumë vëmendje këtë situatë, të shikojmë se realisht ku jemi, në radhë të parë për t’ju ndihmuar ju, për zgjidhjen emergjente të situatës, pasi është vërtetë shumë e vështirë, sepse duhen vendosur disa standarde në mënyrë që askush nga prindërit tuaj të mos e marrë si përtej kostos financiare të kushtueshme që kanë, por ta marrin si detyrim që shteti duhet t’jua garantojë standardin dhe cilësinë, dhe të operojnë shumë shpejt duke pyetur e duke kërkuar një përgjegjësi Ministrisë së Arsimit, se cilat janë fazat konkrete për të realizuar detyrimin e kualifikimit dhe të kurseve të ndihmuara nga mësuesit për ju. E dyta për të nxjerrë rregulloren e maturës që është shumë e vonuar për ju, por të nxirret në kohë për t’ju ndihmuar ju. E treta të ndihmohet që mësuesit t’ju marrin në patronazh të gjithë procesin, pasi është për herë të parë dhe si i tillë duhet të jetë e menaxhueshme që nesër të mos kemi asnjë problematikë.
Këto ishin propozimet e mia.
*Fjala e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj në takimin me gjimnazistët e LRI-së

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?