Mbi 3 mijë gjoba për maskat, Lleshaj: Policia e detyruar që…
Sot Policia e Shtetit bëri me dije se ka vendosur 701 gjoba për qytetarët që u kapën pa maska në rrugë dhe 9 i shoqëroi. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka kërkuar respektimin e masës për mbajtjen e maskës në ambiente të hapura nga qytetarët. Kur në vetëm 4 ditët e para të hyrjes në fuqi të aktit normativ janë gjobitur në total 2811 “të pabindur”, Lleshaj shkruan se Policia është e detyruar nga ligji për të kërkuar zbatimin e kësaj mase.
“Mbajtja e maskës është sot gjëja më e vogël por edhe më e madhe që secili mund të bëjë për të frenuar rrezikun e përbashkët që na vjen nga Covid-19. Policia është e detyruar nga ligji por dhe shumë e motivuar për të kërkuar zbatimin e kërkesës për mbajtjen e maskës. Këtu përfshihet shembulli personal, këshillimi, por dhe gjoba për ata që sillen pa përgjegjësi dhe sfidojnë shoqërinë”,- shkruan Lleshaj.
Gjatë ditëve të fundit Policia Rrugore në të gjithë vendin ka vendosur 564 masa administrative me masë 3.000 lekë secila, për pasagjerë të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private dhe ishin pa maska mbrojtëse në mjet, si dhe për pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik. Dita e hënë shënoi një numër dyfish më të lartë krahasuar me një ditë më parë.