Mbi 30 banesa në Nartë janë përmbytur dhe banorët janë izoluar, qeveria asnjë lëvizje
Përmbytje nuk ka vetëm në Shkodër. Më shumë se 30 banesa në fshatin Nartë të Vlorës, prej më shumë se një muaj ndodhen nën ujë dhe ende pushteti vendor apo dhe qeveria ”Rama 2” nuk kanë lëvizur për zgjidhjen e situatës.
Sipas banorëve të këtij fshati, kjo është një situatë e pa ndodhur prej shumë vitesh, ndërsa pohojnë se edhe pse vizitat e njerëzve të pushtetit dhe të politikës nuk kanë munguar situata është njësoj, e pandryshuar.
Uji rrethon banesat por ka hyrë dhe në to, ndërkohë që banorët kanë ditë pa dalë nga shtëpitë pasi janë të izoluar nga uji dhe ndihmohen në përditshmëri nga banorët e tjerë.
Për kryeplakun e fshatit Mihal Thanasko, problemi qëndron tek hidrovori i cili sipas tyre nga vjetërsia në kohë ka pompa që e kanë humbur fuqinë tërheqëse të ujit. Banorët nuk kanë shpresë për përmirësimin e situatës ndërsa presin që uji të largohet vetë.