Mbi 35 000 refugjatë sirianë janë larguar nga Turqia që nga rrëzimi i al-Asaad

Rreth 35 000 refugjatë sirianë janë larguar nga Turqia për t’u kthyer në vendin e tyre që nga rënia e sundimtarit Bashar al-Assad në fillim të këtij muaji, sipas vlerësimeve zyrtare.

“Kjo do të thotë se i njëjti numër njerëzish janë larguar nga Turqia që nga fillimi i dhjetorit”, tha ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

Turqia, e cila kufizohet me Sirinë në veri, ka pranuar pjesën më të madhe të refugjatëve nga vendi i shkatërruar nga lufta.

Sipas Yerlikaya, rreth 2,9 milionë refugjatë sirianë jetojnë aktualisht në Turqi, duke përfshirë gati 1 milion fëmijë të lindur atje.

Fëmijët refugjatë të lindur në Turqi nuk kanë të drejtë për shtetësi, por u jepet statusi i përkohshëm mbrojtës si prindërit e tyre.

Sirianët që jetojnë në Turqi janë përballur me një rritje të armiqësive ndaj tyre, pasi gjithnjë e më shumë njerëz në qeveri dhe opozitë kërkojnë që ata të kthehen në shtëpi.

Miliona sirianë u larguan nga vendi në vazhdën e luftës civile që shpërtheu kur regjimi shtypi dhunshëm protestat pro-demokratike të Pranverës Arabe në 2011.

Mes viteve të luftimeve shkatërruese që pasuan, duke u tërhequr nga fuqi të ndryshme të huaja, al-Assad arriti të rimarrë kontrollin mbi rreth dy të tretat e vendit, përpara se ai të rrëzohej papritur nga një aleancë rebele e udhëhequr nga islamistët më 9 dhjetor.

Sirianët në mërgim nëpër botë kanë festuar rënien e tij dhe bashkë me të – lirimin e mijëra të burgosurve që ishin zhdukur në burgjet famëkeqe të regjimit.

Megjithatë, ndërsa qeveria e re e përkohshme e Sirisë është zotuar të respektojë të gjitha pakicat dhe fetë, mbetet për t’u parë nëse paqja mund të mbizotërojë në vendin e copëtuar. //a.i/

SHKARKO APP