”Mbi 4600 bluza të bardha dhe 400 të moshuar të vaksinuar”, Manastirliu: Sot mbërrijnë edhe 8190 doza të tjera
Sot pritet të mbërrijnë edhe 8190 doza të tjera vaksinash nga Pfizer. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës në seancën e kësaj të hëne në Kuvend, tha se sot bota është e ndarë në dy kategori, vende që kanë nisur procesin e vaksinimit dhe 140 të tjera që ende nuk e kanë nisur këtë proces, ministrja foli për kategoritë e të vaksinuarve në vend.
”Ne kemi mbi 4600 jetë mjekësh, infermierësh e stafesh spitalesh më të mbrojtur, për shkak të vaksinimit. Sot kemi mbi 400 jetë të moshuarish në azile, të moshuarish mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh, më të mbrojtura për shkak të fillimit të vaksinimit. Më lejoni gjithashtu të shpreh dhe keqardhjen më të thellë për dezinformimin që ushqeu më tej disa reagime të pajustifikueshme njerëzish publikë për vaksinimin e disa qytetarëve që ishin pjesë e këtij grupi të parë, pikë së pari se ishin mbi 80-vjeç. Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi dhe shoqërisë tonë, por ama kriteri dhe vetëm kriteri i moshës u mundësoi të ishin pjesë e një procesi që filloi me të moshuarit në azile. Do të vijojë dhe me +80 vjeçarë të tjerë, sipas planit për çdo fashë të grupmoshës mbi 80-vjeç”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë foli gjithashtu për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, për Spitalin e Ri Memorial në Fier, i cili po ndërtohet me ndihmën e Republikës së Turqisë.
”Ky spital do të vendosë gurin kilometrik për ndërtimin e një mënyre krejt të re të menaxhimit spitalor në vend, që do të vlerësojë mjekët sipas punës, me modelin e autonomisë spitalore. Shumëkush mund të pyesë pse nuk e bëtë më parë? Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në kushtet ku e gjetëm shëndetësinë, operacion i domosdoshëm ishte rindërtimi i infrastrukturës, për të kaluar më pas në një model të ri, aq shumë të nevojshëm për administrimin e spitaleve publike në vend, që bazohet në parimet e autonomisë spitalore dhe vlerësimit të performances”.