Mbi 5 mijë teste dhe pajisje mjekësore mbërritën sot. Kina ndihmon sërish Shqipërinë
Kina e ka ndihmuar për herë të dytë Shqipërinë në luftën kundër CoVid-19.
Në Rinas ku ndoqi procesin nga afër, ishte e pranishme zv ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli si dhe ambasadori i Kinës në Tiranë, z.Zhou Ding.
Rakacolli tha për Top Channel se janë mbi 5 mijë kite testesh që kanë mbërritur shto këtu edhe veshje mbrojtëse (5000 copë), maska mbrojtëse (10 mijë copë), syze mjekëzore (5 mijë copë ), doreza kirurgjikale (10 mijë copë), maska kirurgjikale (20 mijë copë).
“Ndihmat që janë ofruar sot nga Kina konsistojnë në materiale mjekësore, në kite analizash, veshje mbrojtëse, materiale që do na shtojnë kapacitetet tona nëpër spitale. Ne e falenderojmë Kinën për ndihmën e ofruar, sepse e gjithë kjo kalohet vetëm me solidaritet”, tha ajo.
Ndërkohë ambasadori Zhou Ding u shpreh se: “Jam i gëzuar që mirëpresim këto ndihma sot. Këto ndihma janë të vështira sepse vendet në të gjithë botën kanë nevojë për këto produkte mjekësorë në një kohë që dhe transporti është ndërprerë. Këto ndihma tregojnë dashurinë tonë për popullin shqiptar.
Miqtë e vërtetë duken në kohë të vështirë. Jam i bindur që këto ndihma do të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër CoVid-19. Në përgjithësi dua të them Shqipëria ia ka dalë mirë në këtë luftë”.