Mbi shina s’kalon më tren, stacioni hekurudhor në Vorë i braktisur, nuk funksionon për asnjë linjë

Linjat hekurudhore në Shqipëri prej kohësh nuk funksionojnë rregullisht. Pas një kohe të gjatë ndërprerje treni i fundit që ka kaluar në Vorë ka qenë në datën 27 tetor. Punonjësit e këtij stacioni thonë se mungesa e shërbimit uli numrin e udhëtarëve dhe prej kësaj edhe trenat janë hequr nga shërbimi.

Të ndryshkura e të mbuluara nga bari, mbi shinat e trenit në linjën Durrës-Tiranë nuk kalon asnjë tren.

Në këto binarë bariu drejton delet pa frikën e pranisë së Trenit.

Sipas Inspektorit të shërbimit në këtë stacion Rustem Aliu  linjat e vetme që duhet të kalojnë në këtë stacion janë ato që lidhin Tiranën me Durrësin dhe Durrësin me Elbasanin.

“Është një tren që funksionin nga Durrësi në Elbasan dhe Kashar.”

Edhe ambientet e stacionit janë të mbyllura dhe pluhuri ka mbuluar mjedisin e brendshëm.

Inspektori i shërbimit tregon se mungesa e udhëtarëve por edhe e kushteve ka bërë që ky transport publik të mos funksionojë.

“Derisa u hoq stacioni i trenit në tiranë, njerëzit nuk e preferojnë që të zbresin në Kashar.”

Edhe trenat e mallrave nuk kalojnë më që prej 26 nëntorit

“Me rastin e tërmetit ka lëvizur një urë. Pa u rregulluar ajo nuk kalojnë.”

Sipas disa burimeve një nga arsyet  përse linja hekurudhore nuk funksionon është dhe mungesa e karburantit.

Çmimi i biletës nuk është një pengesë sepse është i papërfillshëm.

“Vorë-Tiranë është 40-50 lekë të reja.”

Sipas punonjësit të stacionit, nuk kanë munguar as turistët që kanë pyetur për trenin e radhës.

“Ka raste që turistët pyesin për trenin. I themi jo.”

Banka Evropiane për zhvillim publikoi fituesin e tenderit që do të bëjë ndërhyrje në linjën Tiranë Durrës si dhe ndërtimin e një linjë që do të lidh kryeqytetin me aeroportin e Rinasit, por qytetarët duhet të presin edhe për gati 3 vjet deri sa ajo të vihet në punë.

SHKARKO APP